PTK me pullë postare për shkrimtarin Ismail Kadare

Në shenjë të nderimit të njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar dhe me famë ndërkombëtare, Posta e Kosovës ka emetuar pullën postare “Ismail Kadare”.

Lajme

28/12/2016 14:53

Në komunikatën e PTK-së, thuhet se duke marrë parasysh se një prej qëllimeve kryesore të Filatelisë së Postës së Kosovës është promovimi i vlerave kombëtare, ne ndihemi të nderuar që përmes kësaj pulle postare shprehim respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe angazhimin e Kadaresë për çështjen e Kosovës.

“Për dekada të tëra, Kadare përmes veprave të tij, intervistave dhe formave të tjera ishte në vazhdimësi bashkudhëtar me popullin e Kosovës në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Si një prej personaliteteve shqiptare më të respektuara në qarqet ndërkombëtare, Kadare ishte gjithnjë pranë kauzës së drejtë të popullit të Kosovës. Ai bashkëjetoi me vuajtjet dhe përpjekjet tona”. Ai ishte me ne edhe gjatë okupimit, edhe gjatë luftës çlirimtare, edhe gjatë procesit të bisedimeve për pavarësi duke ngritur zërin në qendrat më të fuqishme perëndimore”, thuhet në komunikatën e PTK-së, përcjell lajmi.net.

Kjo pullë postare emetohet në 80 vjetorin e lindjes së tij, në vitin që është shpallur si “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”./ Lajmi.net/