PTK do të ua ulë pagat punëtorëve

Menaxhmenti i Postës dhe Telekomit të Kosovës planifikon të bëjë ulje të pagave për punëtorët e tij. Nga ana tjetër sindikata e punëtorëve të PTK-së, thotë se nëse shkelen të drejtat e punëtorëve do të reagojnë.

Lajme

13/01/2015 10:32

Punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës, nuk do t’i kenë më pagat me mesatare prej 1150 euro. 

Ato do të ulen në mënyrë drastike. Ky është plani i bordit dhe menaxhmentit të PTK-së. Vendimi për ulje të pagave është vendim i ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Mehdih Latifaj, i cili është bazuar në një rekomandim të Qeverisë të vitit 2012. 

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikalistëve të Pavarur të PTK-së, Lamih Balaj, thotë se nuk ka shumë informata lidhur me vendimin për uljen e pagave, por paralajmëron menaxhmentin se do të merr masa në rast se do të shkelen të drejtat e punëtorëve. 

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Mehdi Latifaj, duke mos dashur të jap shumë detaje rreth vendimit, ai thotë se ky është një vendim pozitiv. 

“Ne po mundohemi të kursejmë, asgjë më shumë. Nuk do të ketë largim nga puna e as zbritje të rrogave. P.sh. nëse dikush e ka pagën 1700 euro do ti zbritet në 1500”, ka thënë shkurt Latifaj, përmes linjës telefonike. 

Në anën tjetër Lamih Balaj, kryetar i Federatës së Sindikalistëve të Pavarur të PTK-së, thotë se ka informata se do të bëhet nivelizimi i pagave por sipas tij ende nuk ka parë ndonjë kontratë të nënshkruar apo nuk ka marr ndonjë vërejtje nga ana e punëtorëve. 

“Ne si sindikatë nuk kemi ndonjë vendim, por ne dhe punëtorët jemi informuar se nuk do të ketë zbritje të pagave por do të ketë një nivelizim të tyre. Në momentin që ne do të shohim që në PTK ka zbritje të pagave dhe është shkel ligji në fuqi, atëherë ne do ti ndërmarrim të gjitha masat që na takojnë me ligj ”, ka thënë ai. 

“Në momentin që ne do të shohim që do të ketë shkelje të drejtave të punëtorëve ne do ti marrim të gjitha masat ligjore edhe ato që na takojnë me ligjin për veprimtari sindikale… Qeveria e Kosovës, vitin që lamë pas kishte përfituar 15 milion euro dividendë nga PTK-ja. Nuk dihet se sa është shuma që këtë vit kompania me mbi 2000 të punësuar do të mund të i realizoj dividendë aksionarit. Nëse i referohemi të dhënave të më hershme paga mesatare në këtë kompani kalon mbi 1 mijë euro. Ndërsa, kryeshefat ekzekutivë kanë pagë disa herë më të lartë se Presidentja e vendit, duke kaluar shumën prej 4 mijë euro. (KosovaPress)