PTK do të hap edhe 2 mijë pika të shitjes

Kompania publike e shërbimit të telefonisë mobile dhe të internetit, PTK njofton se brenda gjashtë muajve do të hapë 2 mijë pika të shitjes në gjithë territorin e Kosovës, ku konsumatorët mund të furnizohen me produktet e saj.

Lajme

16/03/2015 17:29

“Këto 2 mijë pika të reja të shitjes do të hapen brenda gjashtë muajsh në të gjithë territorin e Kosovës, në saje të marrëveshjes për partneritet strategjik që është nënshkruar gjatë ditës së sotme me kompaninë PayKos, e cila është në partneritet strategjik me njërën prej kompanive me renome botërore që ofron shërbime të tilla PayZone”, thuhet në njoftimin e PTK-së.

Marrëveshja parasheh që brenda gjashtë muajsh të hapen 2 mijë pika të reja në gjithë territorin e Kosovës.

“Hapja e pikave të reja të shitjes do të bëhet eskluvizisht me investimet e  kompanisë private PayKos, e cila ka partneritet strategjik me kompaninë e njohur botërore të distribuimit PayZone, ndërsa 1,200 pikat ekzistuese të shitjes të PTK-së, ku aktualisht shiten të gjitha produktet e telefonisë mobile Vala, do të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani”, thuhet tutje në njoftim.

PTK  thotë se do të vazhdojë të jetë prezente edhe në të gjitha objektet e Postës së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen biznesore me operatorin publik, duke synuar që të rrisë kualitetin e shërbimeve edhe në këtë sektor të shitjes.

“Kjo është një marrëveshje biznesore shumë e mirë për PTK-në. Përmes dyfishimit apo trefishimit të pikave të shitjes për produket e PTK-së, po fillojmë gradualisht të ndryshojmë qasjen e PTK-së në raport me konsumatorin. Do të jemi kudo që ka lëvizje të njerëzve, në tregje, markete, lokale, pika turistike, etj, etj”, ka bërë të ditur drejtori menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Marrëveshja për partneritet strategjik është inicuar para disa muajsh dhe  ka kaluar nëpër të gjitha procedurat ligjore.

Fillimisht është publikuar shprehja e interesit të PTK-së në media për gjetjen e një partneri potencial, për t’u selektuar më pas për negociata të drejtpërdrejta kompanitë që përfaqësonin ofertat më të mira.

Procesi i partneritetit strategjik për hapjen e pikave të reja të shitjes në të gjithë territorin e Kosovës, ka marrë aprovimin dhe rekomandimin e të gjithë departamenteve të PTK-së.

Janë rreth 10 njësi të PTK-së, duke filluar nga Vala, Telekomi, Shitja, Prokurimi, etj. drejtuesit e të cilave kanë nënshkruar për të përzgjedhur për partneritet strategjik kompaninë me ofertën më të mirë. (lajmi.net)