Psikologët për të dënuarin për terrorizëm: Osmankaç ishte i sëmurë mendor

FBI e prangosi para se t’i arrijë ndihma për sëmundjen mendore, është pretendimi që familja kosovare Osmakaç dhe një institut i gazetarisë kanë për historinë e djalit kosovar që po vuan burg për terrorizëm në SHBA.

Lajme

19/03/2015 23:52

Si raporton KTV, në një hulumtim të Intercept dhe Investigative Fund at The Nation Institute thuhet se Sami Osmakaç ka qenë target i një mashtrimi të orkestruar të FBI, që përfshinte një informant të paguar dhe agjentë e staf të FBI-së që kishte zgjatur 3 muaj.

FBI i ka blerë të gjitha armët që shihen në videon e gatishmërisë për flijim të Samiut. FBI gjithashtu i ka dhënë Osmakaçit makinën bombe që gjoja duhej ta shpërthente dhe madje i ka dhënë para për taksi për ta dërguar në vendet ku dëshironte.

Osmakaç ishte një i ri thellësisht i shpërqendruar shpirtërisht, sipas një sërë psikologësh dhe psikiatrish që e ekzaminuan para gjyqit. Ai u shndërrua në “terrorist” vetëm pasi që FBI ia ofroi të gjitha mjetet dhe mundësitë për ta bërë një të tillë. Në gjykimin që nisi në maj 2014, avokati George Tragos tha se ai ishte një i ri që vuante nga sëmundje mendore dhe ishte zaptuar nga agjentët e qeverisë.

Një psikologe që u angazhua nga mbrojtja, Valerie McClain dëshmoi në gjykatë se sëmundja e Osmakaçit e bëri atë shumë vunerabël për t’u manipuluar nga qeveria.

Sipas 6 mjekëve për sëmundje të njëjta që e ekzaminuan, ai vuan nga çrregullimi psikik dhe ka sjellje skizofrenike. Prokuroria përdori videot ku kosovari u tregonte agjentëve të FBI se si dëshironte të vdiste si martir. Qeveria nuk mundi ta sigurojë në gjyq dëshminë e informantit Raouf Dabus pasi që ai tha se kishte udhëtuar në Gaza dhe Tel Aviv për të marrë tretman për kancer. Ai tha nga atje se roli i tij me FBI lidhej vetëm me rastin e Osmakaçit.

Ai ka hedhur poshtë pretendimin e FBI se ishte përdorur edhe më parë për të dhënë informacione të dobishme për ta. Vet Osmakaç, i cili ka folur nga burgu me telefon, ka thënë se gjithçka që donte ai ishte të shpëtonte nga djalli që besonte se e kishte kapur nga brenda.

“Unë u manipulova nga FBI. Unë doja të shkoja diku tjetër, të studioja fenë dhe të martohesha, të kisha fëmijë dhe të mos kisha të bëj asgjë me botën perëndimore. Doja të studioja arabisht dhe ta studioja fenë në thellësi, duke shpresuar që Allahu të më shëronte një ditë nga djalli të cilit i besoja nga brenda. Por, mjekët më thanë se nuk është djalli – është sëmundje mendore”, ka thënë Osmakaç.

Familja e tij po mblidhte para për Apelin. “Nëse vëllai im me të vërtetë do të ishte pjesë e një komploti për të vrarë njerëz unë do të isha i pari që do ta dënoja këtë. Por, vëllai im ishte i sëmurë mendor. Ne po provonim t’i ofronim ndihmë. Por, FBI arriti tek ai para nesh”, ka thënë vëllai Avniu.

Sami Osmakaç është dënuar me 40 vjet burgim për planifikim të sulmeve terroriste në territorin e SHBA-ve, raporton KTV.