PSG, mega-ofertë për Hazardin

Paris Saint-Germain ka bërë gati një oferte prej 75 milionë euro për transferimin e mesfushorit të Chelseas, Eden Hazard. Për yllin belg, kampioni i Francës ka përgatitur pagë prej 15 milionë euro në stinor.

Sport

03/06/2014 19:08

Paris Saint-Germain insiston në përpjekjet për transferimin e mesfushorit të Chelseas, Eden Hazard, gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Sipas France Football, menaxheri i Hazardit tashmë është takuar me sheikun Tamim Bin Hamad Al-Thani, pronar i gjigantit nga Parc des Princes. Kampioni i Ligue 1 është duke bërë gati një mega-ofertë për reprezentuesin belg me vlerë prej 15 milionë eurosh në stinor.

Po ashtu, për kartonin e tij, drejtuesit e pasur të Paris Saint-Germain janë të gatshëm të paguajë plot 75 milionë euro. Krejt kjo për të bindur Chelsean për shitjen e tij.

Hazard ka kaluar dy stinorë në Stamford Bridge ku erdhi në verën e vitit 2012 nga Lille për rreth 40 milionë euro. Në dy edicione me Chelsean, Hazard ka zhvilluar 105 ndeshje, në të gjitha garat, dhe realizoi 30 gola.