Pse rrezikohet votimi i FAK-ut dhe Gjykatës Speciale, sipas KDI-së? (Video)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se Kuvendi i Kosovës do të hasë në vështirësi sa i përket miratimit të ligjit për formimin e Gjykatës Speciale dhe atë të formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës.

Lajme

05/03/2015 12:24

Sipas KDI-së, bojkotimi i Listës Serbe paraqet një problem sa i përket miratimit të këtyre ligjeve.

Driton Selmanaj, drejtor ekzekutiv në KDI, ka thënë se partneret e koalicionit, por edhe paritë opozitare duhet që të zhvillojnë një debat të mirëfilltë, për këtë situatë.

“E kaluara na ka treguar që këto janë tema jo shumë lehtë të kalueshme. Për këtë duhet një debat i mirëfillte dhe serioz mes partnerëve të koalicionit, sepse ata kanë një shumicë të kualifikuar, por jo një shumicë të thjeshtë”.

“Vështirësi mund të ketë, por përgjigjja e kësaj do duhej të ishte nga një debat dhe dialog i brendshëm mes partive politike të koalicionit, por edhe me partitë opozitare. Mendoj që është koha që për tema të tilla të tregomë përgjegjësi institucionale, që në këto tema të ketë më së paku politike, por të ketë interes nacional”, ka thënë Selmanaj, gjatë një konference për media, ku kanë folur për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë 3 muajve të fundit.

KDI, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se gjatë 3 muajve të fundit, legjislativi i Kosovës ka pasur një dinamikë të ulët të punës.

Jetmir Bakia nga kjo organizatë ka bërët të ditur se Kuvendi prej kohës së themelimit ka miratuar vetëm një ligj dhe ka vetëm dy ligje për shqyrtim.

“Në këta tre muaj kemi vërejtur një dinamikë të ulët në Kuvendin e Kosovës, asnjë ligj nuk është miratuar, përjashtuar ligjin për buxhetin që ka qenë i obliguar”.

“Kemi vetëm dy ligje për shqyrtim, ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin për pjesëmarrjet në luftërat e huaja, ndërsa një ligj është refuzuar, ai për përgjimet”, është shprehur Bakia.

Ndërkaq, Driton Selmanaj ka përmendur si problem tëpunës së Kuvendit edhe çështjen e agjencive publike.

Ai ka thënë se Kuvendi ende nuk ka arrit që t’i plotësojë bordet e organeve ose institucioneve të pavarura dhe të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Selamnaj ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria duhet të luftojnë politizimin e këtyre agjencive.

YouTube player