Pse opcioni i ndarjes (shkëmbimit të territoreve) është i pafavorshëm?

Nëse i referohemi disa deklaratave të politikanëve tanë dhe të atyre serb, është më se e qartë se bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit, siç po e quajnë zyrtarët e Brukselit, në një fazë të mëvonshme do të mund të trajtojnë edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës. Së fundi, edhe disa intelektualve (në mesin e të cilëve është edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit) janë deklaruar hapur për shkëmbim të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. Të gjitha këto ide, reflektojnë një papjekuri politike e shoqërore të cilat vizualisht do të mund të shiheshin si dobi-prurëse mirëpo strategjikisht do të ishin të dëmshme për Kosovën dhe pozicionin e shqiptarëve.

Lajme

12/02/2018 20:08

Shkruan: Ramadan Qehaja

Duke mos dashur të hyj në elaborim më të thellë të kësaj çështjeje e cila, siç thash, Kosovën do ta dëmtonte në tejmasë, dua t’i ofroj disa pikëpamje politike ushtarake:

Veriu i Kosovës, përkatësisht pjesa në veri të lumit Ibër është një pjesë topogfrafiko-orografike kompakte e karakterizuar me mjaft pasuri nëntokësore dhe me një infrastrukturë të përdorshme për përpunimin e xeheve. Kjo pjesë ka qenë dhe do të mbetet një burim i çmuar për ekonominë e vendit e cila edhe ashtu do të vazhdoj të lëngoj nga mungesa e investimeve të huaja. Kjo zonë poashtu disponon me burime të bollshme ujore (Gazivoda) e për të cilën jo vetëm se varet Prishtina mirëpo pakësimi i burimeve ujore në Kosovë përbën kërcënim të drejtpërdrejt për mirëqenien e qytetarëve. Dhe, jo më pak e rëndësishme, kjo pjesë e Kosovës, sidomos Komuna e Zubin Potokut ka potencial shumë të madh turistik.

Por ajo që duhet theksuar posaçërisht është fakti se veriu i vendit, në aspektin ushtarak, ka rëndësi të posaçme, aq më parë që drejtimet e sulmeve eventuale ushtarake serbe do të ishin të kufizuara në bazë të reliefit kodrinoro-malor, ku rezistenca e Kosovës do të konsiderohej hipotetikisht e favorshme. Prandaj, mbajtja e pozicioneve në kufirin ekzistues dhe mbështetja në reliefin kodrinoro-malor ka një përparësi të madhe dhe në aspektin taktiko-operativ si dhe në atë të sigurisë tonë nacionale. Këtu duhet anashkaluar për një moment mungesën e lojalitetit ekzistues të serbëve në veri të vendit.

Pra nuk është e njëjtë sikur të ishin forcat e xhandarmërisë (ushtrisë) serbe në lumin Ibër, aty ku po pretendohet të ishte kufiri eventual. Në anën tjetër, për palën serbe, ndërrimi i kësaj pjese me Luginën e Preshevës, siç po pretendojnë disa qarqe, do të ishte vështirë i realizueshëm sepse Serbisë i vështirësohet (rrezikohet) dalja në Luginën e Vardarit, përkatësisht në Detin Egje.

Jam i prirë të mendoj se në këtë «pazar» serbët mendojnë të na japin vetëm një pjesë të Luginës, përkatësisht të japin disa fshatra përreth kufirit duke mos e rrezikuar autostradën dhe hekurudhën ekzistuese e cila lidh Beogradin me Shkupin. Ndoshta këtë fakt duhet të kenë parasysh të gjithë ata të cilët e

përkrahin idenë e këtij shkëmbimi. Dhe duke mos nënvlerësuar këtë zonë të banuar me shqiptarë, pothuajse asnjë nga karakteristikat e veriut nuk mund të identifkohen në këtë pjesë të Luginës.

Në aspektin diplomatik, vetëm pëlqimi për të negociuar do të vendoste Kosovën në një pozicion tejet të pafavorshëm diplomatik. Serbia ka ri-konsoliduar diplomacinë dhe ka në shërbim të saj qarqe të mëdha botërore, përfshirë dhe në Perëndim kështu që në çdo konstalacion dëmi do të ishte evident. Këtu do të shkaktonim dëme edhe përtej Kosovës sepse me këtë veprim Serbia do të hapte dyert për ndarjen e Bosnjës, respektivisht Republikës Serbe. Implikimet do të ishin shumë më të mëdha se sa disa mund të mendojnë.

Autori është analist ushtarak