Pse nuk vëzhgohej pengmarrësi në Sydney?

Kryeministri i Australisë, Tony Abbott, ka urdhëruar autoritetet të bëjnë rishikimin e “historisë” së personit që qëndroi prapa rrethimit të kafenesë në Sydney, dramës disaorësh që përfundoi me vrasjen e dy pengjeve dhe të pengmarrësit.

Bota

17/12/2014 13:25

Kryeministri Abbott ka thënë se policia dhe autoritetet tjera të sigurisë kombëtare duhet të rishikojnë se përse sheiku Man Haron Monis nuk ka qenë në listën e vëzhguesve, me gjithë “historinë e tij të dhunës dhe të jostabilitetit mendor”.

Monis, me prejardhje nga Irani, e që ka imigruar në Australi më 1996, ka pasur histori të aktivizimit në struktura radikale fetare. Por edhe pse ende nuk janë dokumentuar lidhjet e tij me ISIS-in, ai kishte vendosur në kafene një flamur të “Shtetit Islamik” ditën e pengmarrjes së 15 australianëve që ndodheshin në këtë lokal.    

Iraniani u vra kur policia hyri në kafenenë që ai po e mbante peng për 16 orë, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, vdiqën edhe dy persona që së bashku me të tjerët po mbaheshin peng nga Monis.

Vite më parë, pengëmarrësi ishte akuzuar për ndihmë në vrasjen e ish-gruas së tij, për abuzim seksual me një femër tjetër derisa shërbente si “liderë shpirtërorë” në një lagje të Sydney, si dhe për letra fyese dërguar familjeve të ushtarëve të vrarë australianë në Afganistan, por dënimet nuk i kishte kryer deri në fund pasi ishte liruar nga burgu në pamundësi për të vërtetuar të gjitha akuzat dhe pretendimeve të mbrojtjes së tij për “jostabilitet mendor”.

Monis, i kishte hedhur poshtë të gjitha këto akuza, duke akuzuar autoritetet se i kanë “shpallur luftë” bindjeve të tij fetare dhe politike. Por këto “trillime” të sheikut e kanë zemëruar kryeministrin australian, që kërkon përgjegjësi jo vetëm nga autoritetet e sigurisë, por edhe nga drejtësia.