Pse nuk u akuzua imami Shefqet Krasniqi në vitin 2009

Në vitin 2009, nga vetura e imamit Shefqet Krasniqi ishin hedhur armë, përfshirë pushkë të gjata, dylbi snajperësh e zhurmë-mbytës (silenciator), që të gjitha armë të përshtatshme për atentate. Për çudi, Prokuroria e Shtetit, me vite vonesë, ndoqi veç dy bashkudhëtarët e tij, Arsim Krasniqin (kryetar i LISBA-s) dhe një tjetër person, por jo edhe Shefqet Krasniqin. Ata madje nuk u ndoqën as për terrorizëm, por vetëm për armëmbajtje pa leje.

Lajme

13/08/2014 18:34

Si shkruan gazeta Express, ishte marsi i vitit 2009 dhe imami i Bashkësisë Islame të Kosovës në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi po e ngiste veturën Opel Zafira. Policia iu vu pas dhe nga kjo veturë qe hedhur diçka jashtë.

Policia më vonë gjeti një arsenal të tërë armësh që përdoren kryesisht për atentate.

Sipas raporti të Policisë, në makinën e Shefqet Krasniqit, imamit kontrovers, ishte edhe Arsim Krasniqi, personi që më vonë do të bëhej kryetari i partisë së dytë islamike në Kosovë, LISBA, që ideologjikisht udhëhiqet nga islamiku Fuad Ramiqi, si dhe një person me emrin Shaban Albry.

Sipas raportit, nga vetura e Shefqet Krasniqit u hodhën: një pushkë me tytë të gjatë, një pistoletë TT e prodhimit jugosllav, dy dylbi që shërbejnë për t’u vendosur në armë, fishekë dhe një pajisje zhurmë-mbytëse për t’u vendosur në armë (silenciator).

Kur u ndaluan nga Policia, kryetari i LISBA-s dhe Shaban Albry gënjyen duke thënë që kishin dalë për të kryer nevojat fiziologjike, derisa një raport i mëvonshëm i ADN-së konfirmoi që së paku një nga armët e kapura kishte qeliza të Arsim Krasniqit.

Për çudi, megjithëse drejtues i veturës ishte Shefqet Krasniqi, as Policia, e më vonë as Prokuroria nuk e përfshinë kurrë aty në mesin e të dyshuarve.

Nuk është gjendur publikisht asnjë sqarim i Prokurorisë pse nuk u hetua imami Krasniqi,  por u ndoqën penalisht vetëm dy bashkudhëtarët e tij.

Express kishte raportuar që Shefqet Krasniqi qe një nga imamët që haptazi përgëzonte shqiptarët që vriteshin në luftën e Sirisë, një qëndrim që dje ai e ka ndërruar duke thënë që ai ishte i pari që u tha të rinjve kosovarë të mos shkojnë në Siri.