Pse nuk po shënon Shqipëria? Përgjigjet De Biasi

Trajneri Gianni de Biasi në ‘Opinion’ te Blendi Fevziu, ka folur edhe për problemet e Kombëtares Shqiptare në fazën e sulmit.

Sport

30/03/2017 08:01

Në katër ndeshjet e fundit, Kombëtarja Shqiptare ka shënuar vetëm një gol, dhe ky sigurisht që është një fakt shqetësues.

“Para se të përgjigjem për këtë gjë, le të bëjmë një diskutim ndryshe. Ne përpara se të humbnim këto katër ndeshje, kishim fituar tre dhe barazuar një”.

“ Unë besoj se po të përballesh me skuadra si Spanja, e ke më të vështirë të shënosh, po të luash kundër Xhakës dhe shokëve të tij, është më e vështirë të shënosh, por ne dje treguam një lojë të mirë, duke krijuar edhe disa raste për të shënuar, por problemi qëndron tek mangësitë teknike të lojtarëve, golashënues i talentuar, lind ose bëhesh gjatë viteve, ne kemi lojtarë me cilësi të mira që japin 110% të asaj që kanë, por diferencën në fund e bën një xhest teknik individual”.

“Unë dua të flas për lojën në përgjithësi të të gjithë skuadrës, ne nuk kemi bërë figurë të keqe me asnjë kundërshtar përsa i përket aspektit taktik dhe organizimit të skuadrës”, u përgjigj De Biasi në pyetjen për mos efikasitetin në fazën e sulmit./Lajmi.net/