Pse njerëzit janë të prirë të merren me thashetheme?

Ato janë kaq të dashura për ne. I bëjmë çdo ditë, në ambiente të ndryshme, në kafene, e sidomos në punë. Po pse natyra njerëzore është kaq e lidhur pas thashethemeve, dhe cila është e keqja e tij më e madhe?

Fun

24/07/2017 01:28

Thashethemet duket se janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. “Psst cilat janë të rejat e fundit?” Të gjithë i kemi bërë ato, kemi dëgjuar me vëmendje ose kemi thënë diçka për të cilën nuk na takon, kur bëhet fjalë për çështje personale tjetrit.

Jemi të etur të dëgjojmë dhe po ashtu të flasim, si një ushqim i përditshëm shpirtëror, ku kafeja e mëngjesit në punë nuk do na jepte efekt nëse nuk do ta merrnim dozën e thashethemeve. Edhe pse mund të kemi ndjerë një brejtje të lehtë të ndërgjegjes, kemi vazhduar gjithsesi.

E vërteta është se 80 përqind e bisedave tona të përditshme janë shumë personale, dhe aty ka më shumë thashetheme se në çdo diskutim tjetër. Një nga arsyet se pse njerëzimi është kaq i dhënë pas thashethemeve është se në vetvete “ai është argëtues në mënyrën më të parezistueshme”- është shprehur Frank McAndrew, profesor i psikologjisë në universitetin Knox. Kur bëjmë thashetheme një pjesë e trurit tonë çliron dopaminë një hormon që të nxit entuziazmin.

Pse bëjmë thashetheme

Pyetja që lind është pse na pëlqejnë thashethemet e mbi të gjitha pse i bëjmë ato? Përgjigja më e shkurtër që vjen është: të zbulojmë sa më shumë për tjetrin. Meqë nuk e dimë se çfarë të tjerët mendojnë për ne, na pëlqen të koleksionojmë informacion herë pas here. Kështu bëjmë “detektivin” amator, pasi duam të jemi në mendjet e të tjerëve të dimë me çdo kusht se çfarë ata mendojnë. “

Jemi gjithnjë në kërkim të informacionit, duam të hetojmë për të parë se çfarë misteri fshihet,” shkruan një nga profesorët e universitetit Alfred, në New York. Duke bërë thashetheme ne zbulojmë dhe njohim të tjerët më mirë. Ose njerëzit të paktën mendojnë se kjo është mënyra më e mirë për të njohur tjetrin.

Sigurisht që ka mënyra më të mira për ta bërë këtë por duket se kjo është e pashmangshme për natyrën njerëzore. Të bërit e thashethemeve është në natyrën tonë.

“Ne jemi padiskutim trashëgimtarët e një tufe njerëzish që fusin hundët,”- thotë Dr. McAndrew. Ndoshta nuk do të ishte e nevojshme të merreshim me thashetheme për të mbijetuar ashtu sikurse dhe paraardhësit tanë, por na ndihmon se kujt duhet t’i besojmë dhe se kujt jo.

Nga ana tjetër, ne na pëlqen të bëjmë thashetheme për t’i lënë të tjerëve të kuptojmë se cilët jemi ne. Ju pëlqen të flisni për pabesnikërinë e fqinjës suaj në lidhje me bashkëshortin e saj. Duke shprehur mendimin tuaj ju keni dhënë edhe fakte se çfarë karakteri apo morali keni vetë. Kështu ju zbuloni se duke bërë thashetheme personi përballë jush ka të njëjtin mendim me ju ose jo. Duke u marrë me imtësirat dhe detajet e bisedave, ajo që nënvizoni është “Ne jemi më të mirë se ata”. Ju jeni duke riafirmuar dhe ndarë vlerat tuaja. Një mbivlerësim që i bëni vetes në mënyrë publike.

Efektet pozitive

Përveç kësaj, për të çliruar substanca kimike të trurit, të cilat na bëjnë të ndihemi mirë, siç është dopamina, kjo lloj mënyre për të biseduar gjithashtu rrit nivelin e progesteronit, një hormon që prodhon ankth dhe stres sipas studimeve të universitetit të Michigan. Mirëqenia jonë merr një tjetër shtytje nga fakti se thashethemet na mbajnë gjithmonë të lidhur. “Ti qesh, qan,…. mban lidhje me të tjerët,”- sipas Dr. Fisher. “Ju mund ta forconi kështu lidhjen tuaj mes jush dhe personit që po diskutoni”.

Por mbi të gjitha nëse merreni me thashetheme në vendin e punës mund t’ju krijojë edhe lehtësira. Informohesh për kolegun tënd, di të mirat dhe të këqijat e tij, mëson se si të mbrohesh nga shefi apo të dëgjosh historitë e shoqes tënde më të mirë. Në vendin e punës nuk do të thotë domosdoshmërisht të merresh me thashetheme, por është e rëndësishme të dish se kush janë miqtë dhe armiqtë e tu. Kështu mund të mbrohesh dhe të sulmosh në rastin e parë që të jepet. Pra mos qëndroni shumë indiferent duke iu shmangur thashethemet, sepse kështu vetëm të tjerët do të merren me ty ndërsa ti do jesh subjekt i përhershëm diskutimi.

Një studim kryer në vitin 2015 zbuloi në një periudhë 12 mujore se rreth 74 për qind e punonjësve nëpër zyra merren me thashetheme. Çdo ditë ata e nisin ditën e tyre të punës me fjalët e para që kanë dëgjuar duke dashur që të jenë shpërndarësit e lajmit.

E keqja, rrezikon reputacionin

Mos u çudisni: thashethemet mund të lëndojë, sidomos kur është i natyrës malinje, e kur nuk ka asnjë qëllim vetëm për të parë tjetrin poshtë. Jo vetëm që është përjashtues por në mënyrë të veçantë ajo që thua me zë të lartë në publik mund të dëmtojë rëndë reputacionin e çdokujt. Këto tashmë ndodhin edhe në faqe të ndryshme publike si Facebook, Twitter apo YouTube, që kohët e fundit po ndodh në masë të gjerë duke përfshirë mosha dhe persona të ndryshëm.

Duhet të kesh një informacion të bollshëm i cili duhet të mjaftojë për të bërë thashetheme. Dhe kjo ndodh sepse ne jemi bërë vartës të teknologjisë, të përdorimeve të websiteve, duke shpenzuar orë të tëra për të thashethemnuar edhe për miqtë tanë më të ngushtë. Nuk po arrijmë të përdorim anët pozitive të teknologjisë, pasi i vetmi qëllim për të cilin e përdorim është dëshira për të dëgjuar sa më shumë për të tjerët, qoftë negativisht apo dhe pozitivisht gjë që ndodh më rrallë.

Po cila është zgjidhja?

Të censurosh veten ose të dish ta bësh në rrethana të caktuara. Kur jeni në dyshim për diçka është më mirë të mos shpreheni fare. Mund të thuash diçka më vonë nëse të pëlqen të shprehesh, por nuk mund ta tërheqësh mbrapsht nëse sekretin e kanë marrë vesh të gjithë. Thjesht sepse di diçka vërtet interesante nuk është e thënë që duhet ta shpërndash atë. Mat minuset dhe pluset para se të thuash diçka, është e rëndësishme t’i vendosësh gjërat në peshore para se të bëhesh shpërndarëse e lajmit. Pyet veten nëse kjo që do them do të lëndojë ndonjë apo është thjesht argëtuese? /Telegrafi/