Pse NATO dhe Greg Delawie kërcënojnë Kosovën?

NATO falënderon Vuçiçin për durimin. Është Serbia mandatare e ruajtjes së sigurisë në rajon?Ambasadori amerikan kërcënon Kosovën – me qëndrim të kujt? State Departamentit, Presidentit Trump, CIA-s? Kush kë bllokon e diskriminon?

Lajme

09/03/2017 13:22

KRIZA – Presidenti Thaçi sajoi një projektligj që i mundëson FSK-së të shndërrohet në Ushtri të rregullt. Miku i tij dhe shefi i partisë më të madhe në vend Kadri Veseli e pranoi atë dhe siguroi se do ta procedojë në Kuvend. Partitë opozitare AAK dhe LVV menjëherë ofruan mbështetjen e tyre për votimin e ligjit. Eksponentë të LDK-së e kundërshtuan atë dhe në prapaskenë filluan subversionin edhe duke përdorur relacionet me ndërkombëtarët.

Reagoi Serbia, duke kërkuar nga ndërkombëtarët të pengojnë synimin e Kosovës për tu bërë me ushtri. “Lista serbe” edhe njëherë më shumë veproi dhe sqaroi se ka vetëm një qeveri – atë në Beograd. Ndërkombëtarët në Prishtinë filluan lëvizjet intensive zyrave të Qeverisë dhe Presidencës për t’i bindur ata se ushtria nuk duhet të formohet kështu siç e ka nisur presidenti Thaçi por në kuadër të ndryshimeve kushtetuese. Pasoi telefonata me shefin e NATO-s. Ambasadori amerikan kërcënoi rëndë, duke thënë: “Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca“. Vuçiçi paska qarë nga gëzimi se NATO dhe SHBA-të i paskan siguruar të jenë kundër Kosovës me ushtri – sipas mediave serbe dhe atyre kosovare.

Botues e opinionistë të ndryshëm multiplikuan panikun, i cili kondensueshëm mund të lexohet edhe në qëndrimin e grupit më të ri politik “Alternativa” që thotë: “Udhëheqësia aktuale për synime afatshkurta dhe joracionale po e kërcënon sigurinë e Kosovës duke na e rrezikuar partneritetin me aleancën Euro-Atlantike. A i harruam rezultatet e kësaj mendësie: fusnotën; bashkësinë e komunave serbe; dështimin në UNESCO; demarkacionin e keq; izolimin e Kosovës; Gjykatën Speciale; shkatërrimin e ekonomisë; kapjen e shtetit?”

Vetëm edhe rusët mungojnë. Me siguri sot do ta thonë fjalën e tyre edhe ata.

Në këtë krizë kemi të bëjmë me dy taborë: Ndërkombëtarët, LDK si parti, opinionistët, serbët kundër dhe PDK, LVV, AAK, Qeveria pro ligjit. Demokracia vendore është në anën e ligjit.

MOTIVI – Aksioni i fundit i Hashim Thaçi thonë të jetë rezultat i sabotimit të permanent të “Listas serbe” për të mundësuar miratimin e demarkacionit. Ose veprimi i fundit i tyre supozohet të jetë fitili që e eksplodoi durimin e primatëve kosovarë për të mos pritur më në emancipimin e tyre brenda sistemit dhe shtetit kosovar. Dihet se tash e sa kohë Qeveria e Isa Mustafës i lutë ata që të kthehen në parlament. Pa sukses. Arsyetimi më i shpeshtë: duhet të merremi vesh me Beogradin, çka donë të thotë se nuk i lënë ata. Me këtë “potez” si duket Thaçi bënë presionin ndaj ndërkombëtarëve se ky vendnumërim i Kosovës për shkak të 5%-it brenda vendit nuk ka më asnjë kuptim dhe nuk do të tolerohet. Kur kihet parasysh se bërja e një ushtrie nuk është akti ligjor vetë.

FAKTETTë brendshmit – Shumica e reagimeve vendore nuk kanë kualitetin argumentativ. Ose janë mite të krijuara për nevoja të ushqimit të masave me manipulim ditor; Fusnotën e detyruan serbët me ndërkombëtarët, kundër vullnetit të Republikës së Kosovës; Bashkësia e Komunave serbe është projekt i Beogradit dhe Brukselit, jo ide e qeverisë kosovare; Demarkacioni çon në izolimin e vendit dhe ai kundërshtohet nga opozita dhe u menaxhua keq nga Qeveria, përdoret si mjet presioni nga BE, e cila e dinë që është precedent i padrejtë; Gjykata speciale rezultoi si projekt i rusëve, serbëve, mediave të caktuara kosovare dhe suflerëve të ndryshëm të brendshëm që për të luftuar kastën në pushtet nuk zgjedhin mjetet. Po që se Kosova i kundërvihej idesë së krijimit të Gjykatës e refuzonte atë do të izolohej me siguri; Dështimi në UNESCO ndodhi për shkak luftës së madhe serbe dhe aleatëve të saj, Kosova si kurrë më parë pati një performancë maksimale dhe të shkëlqyeshme për të marrë votat – nuk ia doli; Është absurd të thuash kjo qeveri shkatërroi ekonominë në një vend të dalë nga një luftë ku bashkë me delet edhe tokat u dogjën. Kjo mendësi sugjeron sikur Serbia ta ke të lënë Kosovën me një ekonomi të fortë e të paaftit për shtet e kanë shkatërruar atë. Mund të thuhet se nuk është bërë mjaftë, por jo të manipulosh me diçka që s’ishte kurrë; Kapja e shtetit ka ndodhur, por po aq edhe nga kritikuesit për kapje të shtetit, ngase kanë kapur shtetin kur kanë mundure tash kanë kapur shoqërinë, subvencionet e organizatave multinacionale e të llojit.

Ndërkombëtarët – Nuk dihet që në administratën amerikane, qoftë në sektorin për punë të jashtme, atë të sigurisë apo të brendshmin këtyre ditëve të ekzistojë ndonjë protokoll që ka analizuar situatën në Kosovë në raport me transformimin e forcave të sigurisë. Më hiç nuk dihet që të jetë marrë ndonjë qëndrim konkret. Çka dimë është qëndrimi brenda ligjërimit (jo statement protokollar) para Kongresit i shefit të sigurisë amerikane që thotë se në kuadër të ligjeve të Kosovës ata do ndihmojnë formimin e ushtrisë së Kosovës. Ambasadat kosovare e shqiptare në Washington ditëve që vijnë duhet të saktësojnë këtë kërcënim, nga më të ashprit të ambasadorit Delawie drejtuar një shteti sovran. Edhe një Dell me zarfa dhe sms-a nuk i duhet Kosovës se bie autoriteti i SHBA-ve për toke. Parasëgjithash kërcënimi vjen ende pa u verifikuar se është ligji i Thaçit kushtetues apo jo. Ambasadorët janë përfaqësues të politikës së shteteve të tyre e jo instant kërcënues sikur të ishin guvernatorë principatash kolonialiste.

Absurdi tjetër – nëse qëndron – vjen nga telefonata e Stoltenberg që paska falënderuar Vuçiçin për “durimin”. Pse një shtet tjetër duhet të ketë durim për sjelljen e një shteti tjetër që nuk bën agresion ndaj tij. Kjo interpretohet sikur NATO t’ia ketë dhënë mandatin e sigurisë rajonale Serbisë dhe i falënderohet që nuk nisi ushtrinë drejt Kosovës për ta siguruar paqen në rajon.

ANALIZA – Nuk ka asnjë dilemë se pakica serbe është një problem i madh dhe bllokues i përparimit të demokracisë dhe shtetit kosovar. Ata në mënyrë transparente thonë se nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe orientohen me urdhrat e Beogradit. Ky sabotim natyrisht se prodhon nxitje dhe urrejtje dhe Kosova nuk duhet në asnjë mënyrë të diskriminojë dikën e më së paku serbet. Madje kjo as që është pyetja esenciale, burimi i krizave dhe vendnumërimit, pyetja e realët në këtë situatë është; a kanë të drejtë ndërkombëtarët dhe serbët e veriut me asistencë të Serbisë të diskriminojnë një shtet tjetër, të njohur nga shumica absolute e shteteve të botës? SHBA-të, NATO dhe BE në këtë kontekst, në çdo drejtim të analizës, pavarësisht metodës sikur bëjnë çmos që ta kushtëzojnë Kosovën të orientohet në pakte, lidhje e raporte tjera përndryshe do ta ri-integrojnë sërish drejt Serbisë, së cilës i lejohet që ta kushtëzojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Kështu ngase pa Demarkacionin (precedent) nuk ka lëvizje të lirë dhe s’ka as prosperim në rrugën drejt integrimit për në BE. Pa ushtri të rregullt nuk ka kandidim në NATO, çka në planin afatgjatë e rrezikon sigurinë e Kosovës e sidomos në kushtet aktuale gjeostrategjike, kur vetë BE kërkon nga NATO dhe SHBA që t’i kundërvihen agresionit rus brenda e kufijve të tyre (dje).

Veprimi i Thaçit më shumë se kryeneçësi, prishje me miqtë apo snobizëm për të promovuar veten duhet të merret si huti, dëshpërimi dhe zhgënjim me vendnumërimin, sabotimin dhe bllokimin e vendit – në mënyrë paradoksale sillen të gjithë, por kësaj radhe jo presidenca dhe qeveria. Atyre iu kërkohen rezultate e nuk lejohen të veprojnë se pengohen o nga opozita o nga ndërkombëtarët dhe serbët. Ky është realiteti.

Këtyre ditëve Kosova ka rënë në një pozitë ku vërtetë duhet të mbledh edhe atomin më të imtë të trurit të inteligjencies dhe të kërkojë dalje nga kjo krizë që nuk vjen vetëm nga kapja e shtetit, nga korrupsioni por më shumë nga kapja e shtetit prej Serbisë dhe serbëve me ndihmën e ndërkombëtarëve. Të fundit duhet të vendosin se a pranojnë sovranitetin e Kosovës sipas standardeve të demokracisë pluraliste siç i kanë në vendet e veta apo jo?