Pse Komisioni për Integrime Evropiane nesër do të diskutojë për demarkacionin?

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe janë çështjet kryesore politike në Kosovë.

Lajme

30/05/2016 21:36

Kundërshtimi ndaj këtyre dy proceseve është bërë në forma të ndryshme – me protesta në sheshet e Prishtinës, gaz lotsjellës dhe beteja brenda institucioneve të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane i kanë ftuar pjesëtarët e Komisionit Qeveritar për Demarkacionin që të diskutojnë dhe të ofrojnë fakte për këtë proces.

Deputetët Xhavit Haliti dhe Bislim Zogaj kanë thënë se duhet të jenë të pranishëm edhe ekspertë të kësaj fushe.

I kontaktuar nga Klan Kosova, Zogaj ka pohuar se thirrja e tij bazohet në faktin se ai nuk është njohës i fushës, andaj para se Marrëveshja të shkojë për ratifikim në Kuvend, ai dëshiron ta ketë të qartë se votën e tij do ta hedh drejt.

“Personalisht kam kërkuar që të ftohen palët dhe t’i ofrojnë faktet e tyre, qoftë para Komisionit për Integrime Evropiane, apo çfarëdo komisioni tjetër”.

“Ftoj edhe njëherë të dyja palët – Komisionin e Demarkacionit dhe ekspertët e fushës – që t’i ballafaqojnë argumentet”.

“Dua ta bind veten që votën time të mos e hedh pro apo kundër pa qenë i sigurt se për çfarë po votoj”.

“Kemi ekspertë në vend që e kanë kundërshtuar vijën e vënë të kufirit me Malin e Zi, vend i cili pretendon se nuk ka pasur gabime, andaj nuk mund të them se kush është gabim këtu, prandaj duhet diskutuar”.

Një kërkesë të tillë nga deputetët e pozitës brenda Komisionit për Integrime e vlerëson si pozitive edhe deputeti Ahmet Isufi.

“Kjo kërkesë e deputetëve është e drejtë, pasi sipas ekspertëve vija e kufirit është e gabuar, prandaj duhet rishikuar”.

“Për ne si AAK nuk ka asnjë dyshim se Komisioni për Demarkacion ka bërë devijim të kufirit në faza të ndryshme”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë deputetët, të pozitës dhe opozitës, të këmbëngulin në asgjë tjetër përveç interesit të Kosovës. Humbja e territorit është dëmtim i vendit”.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se para vetes të gjithë duhet vënë Kushtetutën, territorin dhe integritetin e shtetit.

Në Lëvizjen Vetëvendosje përsërisin se e vetmja zgjidhje është anulimi i kësaj marrëveshjeje.

Sipas tyre, thirrja nga anëtarët e Komisionit për Integrime ka ndodhur pasi çdo ditë e më shumë po vërtetohet se interesi i Kosovës është në të njëjtën linjë me interesat e qytetarëve që nënshkruan peticionin, të qytetarëve që protestuan nëpër shumë qytete të Kosovës dhe deputetëve që bllokuan Kuvendin e Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, ka thënë për klankosova.tv se procedimi i kësaj Marrëveshjeje për ratifikim në Kuvendin e Kosovës është e dëmshme për vendin tonë.

“Është duke u rritur numri i deputetëve kundërshtues ndaj Marrëveshjes”.

Shpejtim Bulliqi nga LDK që nga fillimi e ka kundërshtuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se ky proces është i gabuar dhe i dëmshëm për vendin.

Për të, ftesa nga Komisioni për Integrime Evropiane nuk do të ketë efekt.

“Kërkesa ime që Marrëveshja e këtij procesi të rishqyrtohet ka qenë e kahershme. Tash mendoj se është e vonshme”.

“Është krejt punë e Komisionit për Demarkacion që e ka sjellë Kosovën në një gjendje të tilla çfarë jemi”.

Kjo ftesë, sipas Bulliqit, është bërë sa për sy e faqe dhe ai personalisht nuk sheh diçka pozitive.

Pavarësisht zhvillimeve në vendin tonë, për Malin e Zi procesi i demarkacionit tashmë është çështje e përfunduar.

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljanic, në 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit të tij kishte thënë se kjo çështje tash është problem i Kosovës.

Miljanic kishte deklaruar se demarkacioni nuk i ka prishur raportet mes dy vendeve./klankosova