Pse je kaq e zbehtë?

Nëse shpesh dëgjoni këtë pyetje, dhe përveç kësaj ju plasin qoshet e buzëve, thonjtë thyhen lehtë, dhe rri gjithmonë e lodhur, atëherë ndoshta ju jeni anemik. Kujdes! Nëse nuk trajtohet, mund të paraqet rrezik për jetën.

Lifestyle

08/01/2018 10:03

 

Anemia ndryshe do të thotë pagjakësi. Kjo sëmundje ndikon në uljen e masës së eritrociteve në gjak, e cila përcillet me zvogëlimin e koncentrimit të proteinës së quajtur hemoglobinë. Zakonisht shkaktohet nga mungesa e hekurit.

Shumë probleme
Problemi i deficitit të hekurit, paraqitet në rastet kur nuk absorbohet mjaftueshëm në organet e tretjes (p.sh. pas operacioneve) apo me rastin e humbjes më të madhe të sasisë së gjakut (p.sh. gjatë menstruacioneve).

Sasia e hekurit mund të jetë më e vogël gjatë kohës së shtatzënisë apo gjatë rritjes së shpejtë. Mangësia e tij, po ashtu mund të jetë rezultat i të ushqyerit jo-adekuat.

Nëse ju jeni duke humbur vazhdimisht hekur, atëherë kjo mund të tregojë se ndoshta keni problem me shëndet.

Te shumica e të sëmurëve anemik vërehet: dobësimi, plogështia, rrahje të forta të zemrës dhe frymëmarrje e rënduar gjatë një pune të vogël.

Tek femrat zakonisht kjo shprehet me kokëdhembje. Lëkura duket më e zbehtë, transmeton Telegrafi.
Dieta adekuate

Mungesën e hekurit mund ta përmirësoni, duke përdorur dietë. Ajo duhet të jetë e shumëllojshme dhe gjithëpërfshirëse sidomos në periudha të caktuara të jetës.

Burim i mirë i hekurit është mishi, peshku, e verdha e vezës, perime me gjethe të gjelbra, patate, karota, rrepa, lulelakra, drithëra, fruta (sidomos kumbulla, kajsia, pjeshka, dredhëzat) dhe fruta të thata.

Mirëpo, shpesh herë është e domosdoshme që hekuri të jepet në mënyrë orale, përmes pilulave.

Trajtimi i anemisë është një moment mjaft i rëndësishëm

Abuzohet shumë me këto raste. Njerëzit e arsyetojnë rëndom aneminë me mungesën e hekurit dhe shkojnë direkt në farmaci dhe marrin atje mjekim.

Anemia trajtohet sipas shkakut dhe me doza rigorozisht të përcaktuara mirë nga mjeku hematolog. Kohëzgjatja e mjekimit përcaktohet në bazë të ekzaminimeve periodike ciklike.