Pse duhet bërë Marrëveshje me Serbinë

Kosovës i duhet një Marrëveshje ligjësisht detyruese me Serbinë, pos tjerash, për ta nxjerrë një herë e përgjithmonë shtetin e Serbisë nga Kosova.

Opinion

29/05/2018 09:13

Çka do të duhej të fitonte Kosova nga Marrëveshja ligjësisht obligative me Serbinë, e cila pritet të jetë në rend të ditës të fazës finale të bisedimeve të Brukselit.

Kjo është pyetja që ditëve dhe javëve të fundit po bëhet shpesh në qarqet politike vendore, por edhe tek qytetarët e zakonshëm të Kosovës, tek mediat, shoqëria civile.

Është gjithsesi e kuptueshme pse bëhet kjo pyetje. Kosova ka 21 vite të plota që në një mënyrë apo tjetrën negocion dhe bisedon me Serbinë. Dy Marrëveshjet e mëdha për Kosovën, ajo e Konferencës së Rambouilletit  (1999), dhe tjetra e Procesit të Vjenës (2006, 2007), përmes të të cilave Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë, në realitet, ishin Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Perëndimit  (Bashkësisë Ndërkombëtare), të cilat nuk u pranuan nga Serbia, pa marrë parasyshë që në ndërkohë kishin ndodhur ndryshimet e mëdha në pushtetin qëndror në Beograd. Marrëveshja e vetme e pranuar nga dy palët është ajo e Brukselit, e prillit të vitit 2013, e cila ashtu siç mendohej edhe asokohe, në realitet, ishte vetëm një prolog për një Dakordim të madh historik dhe politik, që tani ka marrë emrin e Marrëveshjes ligjësisht obligative.

Në të vërtetë, kërkimi i përgjigjes në pyetjen që u gjet fare në krye të këtij shkrimi, të kthen tek një pyetje tjetër, nga e cila duhet të nis çdo elaborim i kësaj teme. Kjo pyetje është: A i duhet Kosovës Marrëveshja finale me Serbinë, apo, ne tutje mund të vazhdojmë këtë ndërmarrjen e konsolidimit të shtetit të Kosovës hap pas hapi, pa pasë gjasa reale që të mbërrimë në një gjendje të qëndrueshmërisë afatgjatë të shtetit të Kosovës. Thënë fare hapur, pa pasë një Marrëveshje të këtij lloji me Serbinë, është shumë vështirë të arrihet ai stabiliteti i brendshëm  (fillimisht), dhe poashtu, sigurimi i një perspektive të jashtme, ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Dikush këtu mund të nxjerrë nga arkivi raste të shumta kur prania e Serbisë në Kosovë, ka mundur të hiqet qafe, qoftë në verën e vitit 1999-të, menjëherë pas luftës  (kur diçka e tillë ishte në kundërshti të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), ose edhe në pranverën e vitit 2008-të, apo pak javë pasiqë Kosova u bë shtet i pavarur. Por, dihet fare mirë që Perëndimi, pas gjithë asaj fushate të Paktit NATO kundër Serbisë, të bërë në pranverën e vitit 1999-të, dhe gjithashtu, duke qenë mbështetës kryesor i pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008-të, nuk ka mundur të ecë më tej në përplasje të këtij lloji me strukturat e Serbisë që u gjetën dhe që janë, sot e kësaj dite, brenda territorit të Kosovës.

Kjo është një histori e ditur për të gjithë ne. Ky është një realitet të cilin e jetojmë sot e kësaj dite.

Para se të gjithash pra, pa mbërri ende tek ato synimet e natyrshme, të ligjshme dhe legjitime të Kosovës për ta stabilizuar veten në Bashkësinë Ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e OKB-së, e BE-së, e Paktit NATO dhe e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, Kosovës i duhet një Marrëveshje ligjësisht detyruese me Serbinë, për ta nxjerrë një herë e përgjithmonë shtetin e Serbisë nga Kosova, duke ia mundësuar, gjithsesi në pajtim me Propozimin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Kosovës, që të interesohet për të drejtat dhe nevojat e komunitetit serb në Kosovë.

Serbia, pikërisht përmes kësaj Marrëveshjeje, duhet të dëshmojë para Brukselit, që nuk është më e pranishme në Kosovë, përmes strukturave të saja, ndërsa raportet e saja me Kosovën i definon si relacione të fqinjësisë së mirë. Këto dy arritje do të duhej të çelnin udhë për Serbinë që të anëtarësohet në BE.

Nuk ka kurfarë dyshimi, shikuar së paku nga perspektiva kosovare, që njohja reciproke në mes të dy shteteve, apo, në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të ishte mënyre më e mirë, më e saktë, më e qëndrueshme që të krijohen rrethana njëmend fare të reja në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, duket që secili politikan shqiptar i cili i lenë menjanë preokupimet e përditshme që kanë bëjnë me një konkurencë krejtësisht të kuptueshme për të drejtuar Qeverinë e Kosovës, do të ishte në gjendje fare lehtë të artikulonte përgjigjen në pyetjet që ndërlidhen me domosdoshmërinë e arritjes së Marrëveshjes me Serbinë.