PSD tregon ‘muskujt’ karshi opozitës: Qeveria nuk rrëzohet pa ne

Partia Socialdemokrate ka kërkuar që të bashkohet opozita për ta rrëzuar Qeverinë “Haradinaj”.

Lajme

17/10/2018 16:37

Partia më e re në vend po kërkon që opozita të bashkohet për ta rrëzuar qeverinë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi ka thënë se Kuvendi nuk është i Qeverisë, por i deputetëve të zgjedhur.

Ajo ka shtuar se PSD-ja e ka subjektivitetin e vet dhe nuk i nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik.

Sipas saj rrëzimi i qeverisë nuk bëhet me mungesë kuorumi, atë mund ta bëjë opozita, por vetëm si e bashkuar.

Ky është postimi i plotë:

QEVERIA NUK RRËZOHET NË MUNGESË KUORUMI, POR ME OPOZITË TË BASHKUAR

Kuvendi nuk është i qeverisë, por i deputetëve të zgjedhur. Partia Socialdemokrate e ka subjektivitetin e vet dhe nuk i nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik. Jemi të vetmit që kemi dhënë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë. Qeveria nuk bjen në mungesë kuorumi. Ajo mund të rrëzohet nga opozita, vetëm si e bashkuar.

Bashkimi i opozitës për veprimet edhe në kuvend është para së gjithash përgjegjësi e grupeve më të mëdha parlamentare. Ne jemi të gatshëm dhe të interesuar të ulemi dhe ta bëjmë strategjinë e përbashkët për rrëzimin e qeverisë me të gjitha partitë opozitare. Por, nuk jemi të interesuar për t’i shërbyer diskurseve populiste dhe agjendave të partive të tjera politike.

Subjektet e tjera opozitare nuk po e bojkotojnë kuvendin, por disa seanca plenare, sidomos ato më mediatike. Ata po marrin pjesë edhe në punën e komisioneve parlamentare. Kjo dëshmon se veprimi opozitar pa strategji të përbashkët dhe pa bashkërendim është joserioz dhe për poena të lirë politik. Është edhe kundërproduktiv dhe manipulues, meqë dihet se gjasat që qeveria të rrëzohet nga subjektet opozitare pa Partinë Socialdemokrate janë pothuajse zero.

Natyra Kuçi,
Zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate