PSD: Tërë procesi i ndërtimit të autostradës duhet të hetohet

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka dalur me qëndrim zyrtar për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Lajme

07/06/2018 18:15

Me anë të një komunikate, PSD kërkon që i tërë procesi i ndërtimit të kësaj autostrade duhet të hetohet.

Mungesën e transparencës së publikimit të kontratave, PSD e quan tejet shqetësuese.

“Për vite me radhë, buxheti i Republikës së Kosovës është orientuar gabimisht, në ndërtim autostradash tranzit, në vend se në rritje të prodhimit dhe në ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveritë e Kosovës njëra pas tjetrës, përmes vendimeve të ngutshme e të gabueshme, po e rëndojnë edhe më tepër barrën financiare të qytetarëve të Kosovës.

Kontratat e fshehta dhe papërgjegjësia e krerëve institucionalë, si para qytetarëve ashtu edhe para vet kontratave të tilla, përbëjnë binomin përmes së cilit Bechtel – Enka po funksionon brenda Kosovës. Rasti i fundit i autostradës Prishtinë – Shkup është dëshmia e radhës e keqeverisjes që ka ndodhur në Kosovë për shumë vite. Vonesat në pagesa nga qeveria Mustafa u përcollën me aneks-kontratë të re të dëmshme nga qeveria Haradinaj, kontratë kjo që obligon Republikën e Kosovës për 53 milionë euro shtesë ndaj kompanisë Bechtel – Enka. Ky dënim bëhet edhe më i dyshimtë duke pasur parasysh mungesën e transparencës në kontratë. Për më tepër, kompania që e bën mbikëqyerjen e punëve nuk i ka pranuar pretendimet e Bechtelit.

Partia Socialdemokrate kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që sa më parë ta hetojnë gjithë procesin e ndërtimit të kësaj autostrade, që nga kontrata fillestare, e deri tek aneks-kontrata e fundit, ashtu që të gjithë përgjegjësit për keqmenaxhim të fondeve publike të dalin para drejtësisë. Republika e Kosovës nuk duhet ta paguajë dënimin ndaj Bechtelit, pa i dënuar ata që ia faturuan shumën”, thuhet në njoftimin e PSD-së.