PSD nesër nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme

Partia Social Demokrate që nga nesër do të fillojë kontakte me partitë e tjera opozitare, në mënyrë që Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë.

Lajme

06/08/2018 20:00

Partia e Shpend Ahmetit po shpreson që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja do ta përkrahin këtë iniciativë dhe t’i japin nënshkrimet.

Zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti në një deklaratë për lajmi.net ka bërë të ditur se që nga nesër do të bashkërendojnë veprimet me partitë e tjera opozitare.

“Nesër do të fillojmë të bashkërendohemi me partitë e tjera dhe besoj që do të fillojmë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve”, tha fillimisht Hoti.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albuelna Haxhiu në lidhje me kërkesat e PSD-së për seancën e dialogut, kishte renditur disa pika që VV-ja i dëshiron medoemos në rezolutën e Kuvendit për fazën finale të dialogut.

“Të ndërpitet formati aktual i dialogut me Serbinë Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës. Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë. Reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë. Padi për gjenocid kundër Serbisë. Hashim Thaçi është person jokredibil për ta udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë”, kishte shkruar Haxhiu.

E kushtet e Vetëvendosjes, zëdhënësi i PSD-së po i cilëson si papjekuri politike.

Hoti në fund është shprehur optimist se LDK-ja dhe VV-ja do t’i japin nënshkrimet.

“Për mua është shqetësuese si po hezitojnë me votu rezolutën dhe tash. Në reagimin e Haxhiut e pamë që ajo ish marrë me tema që s’kanë të bëjnë me dialogun dhe kjo tregon një papjekuri politike. Dhe një qëndrim jokorrekt për këtë temë. Ne megjithatë do të vazhdojmë me u konsulut me partitë e tjera dhe besoj që do t’i japin nënshkrimet për seancë”, përfundoi Hoti.

Ndryshe në përgjigjen e kryetarit të Kuvendit për shefin e deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu u tha se Kuvendi mund të kthehet nga pushimet vetëm nëse kërkohet seancë e jashtëzakonshme.

Për një gjë të tillë duhen 40 nënshkrime të deputetëve. /Lajmi.net/