PSD kërkon që njohja e Kosovës të jetë pjesë e strategjisë për zgjerim të BE-së

Partia Socialdemokrate ka përshëndetur zhvillimin e Samitit Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor që do të zhvillohet nesër në Sofje.

Lajme

16/05/2018 21:58

“Ky samit, i pari i këtij lloji 15 vite pas samitit te Selanikut, është gjithashtu testi i parë serioz drejt realizimit të perspektivës së besueshme të zgjerimit dhe të thellimit të angazhimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor për të cilat u angazhua Komisioni Evropian në strategjinë e re për zgjerim”, thuhet në kumtesën e PSD-së.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet jo vetëm nevojë, por edhe garanci për paqen e zhvillimin rajonal dhe kontinental. Ky samit duhet të shërbejë si pikënisje për transformimin e gjithëmbarshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që gabimet e së kaluarës së përgjakshme të mos përsëritën dhe sfidat e së ardhmes të adresohen bashkërisht me Bashkimin Evropian, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit”.

Sipas PSD-së, kjo nënkupton ndryshim rrënjësor në qasjen e vet Bashkimit Evropian, i cili sipas tyre duhet të thyej status quo-në e trajtimit të temave ekskluzivisht konsensuale siç janë infrastruktura apo rinia, për të adresuar edhe temat politike dhe ato potencialisht kontestuese siç janë kapja e shtetit apo trajtimi i diferencuar i shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu i dështuar i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash rezultat i keqpërdorimit dhe i keqorientimit të tij nga ana e kapësve të shtetit në Prishtinë dhe në Beograd, të cilët e kanë përdorur atë në shërbim të ruajtjes së pushtetit të tyre autoritar. Partia Socialdemokrate konsideron se ky dialog duhet të rimendohet dhe të përfshihet në kuadër të strategjisë së re për zgjerim, duke kushtëzuar negociatat për anëtarësim të shteteve të Ballkanit Perëndimor me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e dëshmuar tashmë si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sovranizimi i Republikës së Kosovës është edhe interes gjeopolitik për ndërtimin dhe konsolidimin e një Evrope të bashkuar, kohezive, sociale dhe funksionale”.

“Duke qenë më eurofilët e rajonit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë sot njëkohësisht të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian. Mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndëshkuar qytetarët e saj, e jo politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar të Republikës sonë. Këtij izolimi duhet t’i jepet fund sa më parë, pavarësisht qëndrimeve të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian karshi pavarësisë së Kosovës”.

“Në fund, në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballët me sfida të brendshme në sundimin e ligjit, Samiti i Sofjes duhet të dërgojë sinjalin e qartë se shteti i së drejtës është gurthemeli i politikës së zgjerimit dhe se kapja e shtetit nuk ka vend në Bashkimin Evropian. Për vet Bashkimin Evropian, kjo kërkon braktisje të qasjes së fokusuar në elita për të përkrahur të gjitha forcat demokratike të shoqërisë, përtej ekzekutivit, si kusht kryesor për rivendosjen e mekanizmave të kontrollit demokratik që do të mundësojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës”.