PSD: Hipokrizia manipuluese dhe viktimizuese e Vetëvendosjes së etur për pushtet

Përplasja e Vetëvendosjes me PSD-në vazhdon e thellohet.

Lajme

27/10/2018 19:15

Në një komunikatë për media, partia e Shpend Ahmetit ka reaguar pas deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas PSD-së, “në vazhdën e etjes së saj për pushtet me çdo kusht, Lëvizja Vetëvendosje! paska zgjedhur sot komunën e Kamenicës për t’i vazhduar sulmet ndaj Partisë Socialdemokrate, duke e manipuluar opinionin publik përmes viktimizimit të saj”.

“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm se nuk dëshiron që të flitet për arsyet e shkarkimit të anëtarëve të saj nga pushteti lokal, por edhe po e fsheh faktin se kryesuesi i Kuvendit Komunal të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! ishte zgjedhur edhe nga asambleistët e Partisë Demokratike e Kosovës dhe nga Lista ‘Srpska’”, thuhet në reagimin e PSD-së.

PSD-ja thotë se “me gjuhën e sotme të Vetëvendosjes, i bie se kryesuesi i Kuvendit Komunal i Lëvizjes Vetëvendosje! së Albin Kurtit është votuar nga Kadri Veseli dhe Goran Rakiqi. Me sa shihet; Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit dhe Lista ‘Srpska’ e Goran Rakiqit nuk janë problem për Vetëvendosjen! e Albin Kurtit kur ia mundësojnë atij pushtetin, por vetëm kur ia pamundësojnë”, thuhet në reagim.

E vërteta, sipas PSD-së, është se zyrtarët e shkarkuar nga qeverisja komunale në Kamenicë janë shkarkuar për shkak të papërgjegjësisë profesionale dhe dyshimeve për shpërdorime gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Qeverisja lokale e Kamenicës edhe sot vazhdon me të njëjtën përbërje politike. Edhe sot në pushtetin ekzekutiv janë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe aty do të jenë për sa kohë punojnë mirë dhe drejt në të mirën e Kamenicës”, thuhet në reagim, përcjell Koha.net. “Hipokrizinë e Vetëvendosjes! në emër të subjektivitetit partiak e dëshmon më së miri shembulli i Sami Kurteshit të PDK-së, të cilit qytetarët e Gjilanit i treguan së fundi se nuk mjafton ta kesh siglën e Vetëvendosjes! për t’i fituar zgjedhjet. Siç e dëshmon edhe rasti i aderimit të Donika Kadaj-Bujupit në Vetëvendosje! nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili qe mirëpritur asokohe nga Albin Kurti dhe puthadorët e tij të sotëm, ani se ajo ishte zgjedhur deputete si kandidate e AAK-së”, është thënë më tej në reagimin e PSD-së.

Partia Socialdemokrate thotë se mbështet plotësisht punën e Qëndron Kastratit, që, sipas kësaj partie, po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht për transformimin radikal që po e sjellë në qeverisjen lokale të Kamenicës; si dhe për luftën e tij të pakompromis ndaj keqpërdorimeve dhe abuzimeve me pushtetin.

“Në luftën e saj lundër krimit dhe korrupsionit, Partia Socialdemokrate nuk i nënshtrohet asnjë kërcënimi, presioni dhe shantazhi. Nuk ka prapakthim dhe nuk mund të ndalet ndryshimi pozitiv i Kamenicës i filluar me programin politik të përzgjedhur nga qytetarët, e të cilin po e zbaton dhe po e jetëson në përpikëri kryetari Qëndron Kastrati me qytetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e tij politik”, thuhet në njoftim.