PSD e quan të padrejtë vendimin e Apelit për deputetët që hodh gazën lotsjellës

Partia Social Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me dënimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Faton Topalli, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti.

Lajme

18/09/2018 19:05

PSD, përmes një kumtese për medie, këtë vendim e ka quajtur të padrejtë.

Ky është teksti i kumtesës:

“Katër deputetët janë shpallur fajtorë me akuzën për hedhje të gazit në seancat e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Kjo, përkundër që tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Derisa në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanoviq, në shkurt të këtij viti janë pajtuar për mundësinë e korrigjimit të Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, çfarë dëshmon edhe gabimet në marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare mes dy shteteve.

Vendimi i sotëm nga Gjykata e Apelit vjen në kohën kur Republika e Kosovës është në prag të arritjes së një marrëveshjeje finale me Republikën e Serbisë, për çfarë ka mungesë të plotë transparence. Ky veprim konfirmon edhe një herë funksionimin problematik të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, i cili mbetet peng i zhvillimeve politike dhe interesave të pushtetit. Ndaj, për Partinë Socialdemokrate është vendim i padrejtë. PSD kërkon funksionim të mirëfilltë të organeve të drejtësisë dhe e sheh si të papranueshme çfarëdo ndërhyrje direkte apo indirekte të pushtetit në vendimet e drejtësisë.”