PSD bën homazhe te varri i Astrit Deharit

Partia Socialdemokrate gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe te varri i ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, me rastin e dy vjetorit të vdekjes së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Lajme

05/11/2018 15:10

Një delegacion i Partisë Socialdemokrate (PSD) ka bërë homazhe sot pranë varrit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, shkruan lajmi.net.

Përmes fotografive të publikuara në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, shihet se homazhe kanë bërë kreu i PSD-së Shpand Ahmeti, deputetët Shqipe Pantina, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri dhe disa anëtarë të PSD-së.

“Shoku dhe bashkëveprimtari Astrit Dehari vdiq në duart e pushtetit. I burgosur paarsyeshëm dhe padrejtësisht. Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi politike dhe ligjore për humbjen e jetës së tij”, thuhet në mbishkrimin e fotografive të publikuara në Facebook, përcjell lajmi.net.

Sipas PSD-së, drejtësia për Astritin është kushti për një shoqëri të drejtë, për republikë të lirë dhe se, drejtësia për Astritin është liria e popullit të tij, e të gjithë popujve; barazia brenda popullit dhe midis popujve. /Lajmi.net/