Provokimet e vjetra të Dacic

Zyrtarë kosovarë, në Qeveri dhe Opozitë, e vlerësojnë si të rrezikshëm propozimin e Ivica Dacic për shkëmbim territoresh. Por, thonë se Kosova tashmë i ka kufijtë e garantuar dhe të pranuar, madje edhe nga vetë Kryeministri i Serbisë, me Marrëveshjen e IBM’it.

Lajme

21/09/2013 16:28

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i është kthyer propozimit të tij të preferuar për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, në një kohë kur të dyja vendet kanë arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe po angazhohen në zbatimin e saj.

Por, Kosova e ka hedhur poshtë menjëherë një opsion të tillë.

Zyrtarë kosovarë, në Qeveri dhe Opozitë, e vlerësojnë si të rrezikshëm këtë propozim.

Në një intervistë për një televizion malazez, Ivica Dacic ka përmendur këmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje e përhershme në këtë pjesë të rajonit.

Në Prishtinë, zyrtarë qeveritarë vlerësojnë se Dacic ka bërë deklarata për “konsum të brendshëm” në Serbi.

ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha për lajmi.net se Kosova tashmë i ka kufijtë e garantuar.

“Deklaratat e Dacic’it janë për konsum të brendshëm në Serbi. Statusi i Kosovës është finalizuar më 2008, ndërsa kufijtë janë bërë të paprekshme me Marrëveshjen e IBM të sponsorizuar nga BE”, ka thënë ZëvendësMinistri i Jashtëm, Selimi.

“Është e qartë që politikat e disa dekadave të Serbisë që pretendojnë ndarje etnike dhe solucione etnike nuk kanë vend në Europë. Por, nuk duhet të bimë pre e provokimeve të tilla verbale dhe duhet të qëndrojmë të fokusuar tek përfundimi i procesit të integrimit të Veriut nëpërmjet dialogut politik me përfaqësuesit demokratikë që do të dalin nga zgjedhjet e ardhshme lokale”.

Ish Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni (LDK) konsideron se kjo ide e Dacic është “shumë e dëmshme dhe shumë e rrezikshme”.

“Është ide e shekullit XIX. Në vend që të këmbehen territoret dhe të zhvendosen popullata të tëra, Kosova dhe Serbia do të duhet të duhej të njiheshin reciprokisht si shtete të pavarura urgjentisht dhe kufijtë në Ballkanin Perëndimor të liberalizohen, të bëhen lehtë të kalueshëm, të bëhen kufij shumë fleksibilë në vend që të ndryshojnë”, thotë Hyseni, për lajmi.net.

“E shoh si një kalkulim afatgjatë në rrafshin e bisedimeve që po zhvillohen Kosovë- Serbi. Kjo do të duhej t’i dërgonte Kosovës një sinjal që të jetë e kujdesshme karshi politikave serbe”.

“Ndryshim kufijsh në Ballkan nuk ka pasur asnjëherë pa lufta të tmerrshme dhe nuk mund të ketë pa lufta të tmerrshme. Nuk mund të ketë këmbime territoresh në rrugë paqësore”.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, e konsideron këtë opsion si “agjendë jashtëzakonisht e vjetër e Serbisë”.

“Kjo dëshmon edhe një herë fuqishëm se Beogradi zyrtar nuk po interesohet për njerëzit, por po interesohet për territoret. Ndërkaq politika e territoreve është politikë e kaluar. Është politikë që i takon të kaluarës së historisë, por nuk i takon politikës europiane”, thotë ai për lajmi.net.

“Zbatimi i marrëveshjes është diçka e detyrueshme dhe çfarëdo lloj mangësie në të, do ta zvogëlojë mundësinë e Serbisë drejt Bashkimit Europian. Dhe duke qenë në dijeni që kjo është një politikë mjaft e vjetër, nuk besoj që do ta dëmtojë procesin e bisedimeve”.