Provokimet e Rusisë: NATO përgatit përgjigjen

Tash e ca kohë, madje edhe këto ditë po vërehet një aktivitet i paparë i flotës baltike dhe asaj ajrore ruse. 

Bota

11/12/2014 23:28

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Tomasz Siemoniak tha të enjten se është i “brengosur” për shkak të aktiviteteve të pashënuara deri tash mbi Detin baltik gjatë ditëve të fundit.

“Tash e sa kohë, madje edhe këto ditë, vërehet aktivitet i paparaë i flotës baltike dhe asaj ajrore ruse, në Detin baltik dhe në territorin e Kaliningradit. Kjo na brengos. NATO është duke përgatitur përgjigjen ndaj kësaj”, i tha ministri polak televizionit TVN24.

Ministri polak iu referua faktit se të hënën aeroplanët luftarakë holandezë F-16 kanë ndërprerë fluturimet  e aeroplanëve bombardues rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Aeroplanët holandezë të stacionuar në Poloni në kuadër të misionit të NATO-s mbikëqyrin hapësirën ajrore të vendeve baltike.

Këtë vit 400 aeroplanë rusë janë vërejtur në afërsi të vendeve të NATO-s ose 50 për qind më shumë se një vit më parë, deklaroi më 20 nëntor në Estoni sekretari i përgjithshëm i NATO0-s, Jens Stoltenberg.

Më 8 dhjetor, Lituania ka shtuar shkallën e gatishmërisë së forcave të veta, pasi në Detin Baltik ka zbuluar grupin prej 22 anijeve ruse të luftës, në mesin e të cilëve edhe një korvetë me armatim të rëndë, pesë kilometra larg ujërave territoriale të Lituanisë.