Provizioni i aplikuar nga bankat, mënyrë e zhvatjes së qytetarëve

Pagesa për shërbimet bankare në Kosovë ka arritur shkallën më të lartë të mundshme. Pagesat për shërbime bankare varësisht nga bankat, variojnë nga 0,50 cent deri në 3 euro, varësisht nga lloji i shërbimit.

Lajme

27/03/2015 21:34

Qytetarët të cilët kanë nevojë të bëjnë pagesa nëpërmjet bankave, ankohen se krahasuar me gjendjen ekonomike, këto çmime janë tejet të larta.

Çmimet e provizioneve nuk rregullohen me ligj në Kosovë. Janë vetë bankat ato që vendosin për provizionet.

Ketë e konfirmojnë edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Në pajtim me politikat dhe rregullativën ekzistuese, BQK nuk vendos dhe nuk ndikon në vendosjen e çmimeve për shërbime bankare të bankave komerciale. Bankat kanë të drejtë të çmimvënies së produkteve dhe shërbimeve të tyre, dhe klienti është ai që mund të zgjedhë bankën për kryerjen e shërbimeve të tij.

BQK vepron në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë dhe nuk ndikon në profilizimin që bankat kanë për klientët e tyre”, thuhet në përgjigjen elektronike të Besnik Kadës, zyrtarë për Informim në BQK.

E duke pasur parasysh çmimet e larta të shërbimeve në bankat komerciale, qytetarët kanë filluar në masa të madha t’u drejtohen institucioneve mikrofinanciare, si janë Monygram, Westerunion e të tjera që operojnë në vend.

Sipas tyre, këto mikrofinanca kanë shërbime më të lira dhe kryerjen punë më shpejtë.

Ndërsa koordinatorja e Marketingut në MonyGram, Arbnora Gosalci, thotë se shërbimet e tyre janë më të lira se në bankat financiare.

Pikërisht për provizionet e larta, kohë ma parë pati reaguar organizata joqeveritare Konsumatori.

Sipas kësaj organizate pozita e privilegjuar e Bankave Komerciale në Kosovë po shkon mbi kurrizin dhe të drejtën e konsumatorit.

Ankesat e konsumatorëve për çmimet e larat për shërbimet bankare, të Bankave Komerciale në Kosovë vazhdojnë të ju adresohen por për fat të keq në vesh të shurdhër, pasi as Bankat, as BQK, as Asociacioni i Bankave, as Ministria e Financave, dhe as Inspeksionet e Institucioneve financiare dhe të Bankave, deri më sot nuk kanë marrë mundin t’u përgjigjen ankesave të qytetarëve. /Rrokum.tv/