Provimit të Jurisprudencës i nënshtrohen 200 kandidatë

Ministria e Drejtësisë sot ka organizuar provimin me shkrim të Jurisprudencës, kurse ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Kryetari i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani, kanë përcjellë mbarëvajtjen e këtij provimi.

Lajme

12/09/2015 14:09

Më këtë rast, Ministri Kuçi pasi ka shprehur kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e provimit të Jurisprudencës, tha se qëllimi i tij dhe institucioneve tjera të Kosovës, është të përgatisin kuadro për reformën që po bëhet në rend dhe ligj, të përgatisin kuadro për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovë.

“Qëllimi ynë është që të përgatisim kuadro të reja për sistemin e drejtësisë, njerëz të cilët janë të aftë që pas kësaj të marrin pjesë në gjykatat e Kosovës, prokurorin dhe avokatinë e vendit’, ka thënë Ministri Kuçi.

Kuçi ka vlerësuar punën e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe ka theksuar se shumë shpejt do të bëhet edhe promovimi i doracakut për provimin e Jurisprudencës me ndryshimet e reja si dhe pritet që shumë shpejt të procedohet në Kuvend edhe Ligji për Akademinë e Drejtësisë ku edhe do të bëhet një rrumbullaksim i përgatitjes së kuadrove të reja.

Kryetari i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani, pasi foli për procedurat që zhvillohen gjatë procesit të provimit, tha se provimi i Jurisprudencës është bazë e mirë për kandidatë të ardhshëm në sistemin e drejtësisë, në veçanti për gjyqtar dhe prokurorë.

Kandidatët sot i janë nënshtruar provimit me shkrim nga lënda e Drejta Penale, ndërsa nesër i nënshtrohen provimit nga e Drejta Civile. /Telegrafi/