Protestojnë përfaqësuesit e 17 familjeve të cilat Komuna e Prishtinës i la pa shtëpi e biznese

Ka më shumë se katër vjet që 17 familje kanë mbetur pa shtëpi dhe pa bizneset e tyre përmes së cilave edhe kanë siguruar jetesën në kryeqytet.

Lajme

02/10/2015 17:23

Para 4 viteve, këto familje kishin pranuar që objektet e tyre të cilat kanë qenë përball Parlamentit të Kosovës të rrënohen në mënyrë që të ndërtohet objekte të reja, që sipas planit të paraparë aty është dashur të bëhet ndërtim i lartë.

Aty nuk është ndërtuar më as ndërtim i lartë e as i ulët, por ka mbetur një hapësirë që po shfrytëzohet si parking për vetura.

Për këtë arsye, disa përfaqësues të këtyre familjeve protestuan sot para komunës, të cilët kërkuan që të ju bëhet një zgjidhje sa më shpejt.

Feim Gjylderin, i cili në këtë vend ka pasur shtëpinë dhe po ashtu një lokal me anë të së cilës e ka mbajtur edhe familjen, thotë se tani ata janë bërë viktimë e lojërave politike ndërmjet këtyre partive, të cilëve nuk po iu intereson për qytetarët por vetëm për vetën e tyre.

“Kanë kaluar katër vjet, tash Vetëvendosje është në pushtet në komunë po don me rrëzuar atë plan për me mundur në qytet me ndërtuar ndërtesa të larta. E kanë ndërprerë krejt ndërtimin në qytet, por tash ne jemi viktima të lojërave politike, LDK, PDK janë kundër Vetëvendosjes, kanë shumicën e në asamble komunale. Nuk votojnë asgjë që vije prej urbanizmit, ne jemi viktimë”, tha Gjylderen.

Ai thotë se tani jeton në një gjendje shumë të rëndë ekonomike, pasi ka më shumë se katër vjet që ai së bashku me familje po jetojnë me qira.

“Ne nuk dimë ku të shkojmë, të shkojmë në nivel qendrorë po ashtu është situata edhe atje. Unë për vete që katër vjet e më shumë banoj me qira, nuk kam me paguar as qiranë, as ekzistencën se kam pasur edhe lokalin dhe jemi në gjendje shumë të rëndë ekonomike. Tash jam rast social, në rrugë. Çdo ditë po protestojmë askush nuk na merr në pyetje”, shtoi Gjylderen.

Ai thotë se ata janë ankuar nëpër ministri, qeveri e në komunë shumë herë, por deri më tani nuk i është dhënë asnjë përgjigje. Ai shtoi se ata nuk po dinë më çfarë të bëjnë për këtë çështje.

E fqinji i tij, Sheqajdin Mejtani, thotë se përgjatë këtyre viteve humbjet ekonomike janë të tmerrshme. Ai thotë se ata nuk do të pajtohen me asnjë zgjedhje tjetër, përveç me planin që i është prezantuar me fillim, me të cilën edhe janë pajtuar për rrënimin e objekteve të tyre.

“Humbja ekonomike është e tmerrshme, se ne i kemi pasur ato si objekt për biznes dhe të shikojmë tash prej viti 2011, shifra të mëdha. Mirëpo krejt i harron njeriu me qenë se bëhet një zgjidhje, por zgjidhje nuk po shohim se nuk e kanë vullnetin asnjëra parti… Ne nuk duamë kurrfarë opsioni tjetër. Behët, s’bëhet, bëhet, ashtu unë nuk po shpresoi më që ka me ndodhë diçka se është një luftë mes partive. Puna nuk është kah shkon këta që thonë për qytetarë. I kanë edhe këta interesat e veta. Zgjidhje këtu nuk po shohim. Ka me qenë një problem bukur i madh sepse nuk e kanë vullnetin. Me pas vullnet kjo punë kryhet shumë shpejt”, tha Sheqajdini.

KosovaPress, ka kontaktuar edhe me komunën e Prishtinës për të marrë një përgjigje në lidhje me këtë gjë, por ata nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen sot për këtë çështje./Kp