Protestohet në Deçan

Sot duke filluar nga ora 12:00 do të protestohet në Deçan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për faljen e pronave.

Lajme

16/06/2016 07:45

Në një njoftim për media thuhet se Kuvendi Komunal ka kundërshtuar këtë vendim, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit.

“Aktgjykimi i fundit (20.05.2016) i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili legjitimon Vendimin e Qeverisë së Serbisë të vitit 1997, për faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike, APIKO dhe ILIRIA, Manastirit të Deçanit, ka nxit reagime të institucioneve dhe qytetarëve të kësaj Komune.

Pas këtij Aktgjykimi, Kuvendi Komunal në një Seancë të jashtëzakonshme, ka kundërshtuar Vendimin e Kushtetueses, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit. Këshilltarët komunal, duke parë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe pakënaqësitë qytetare, ka formuar një Komision Komunal të kryesuar nga Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, e në të cilin janë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike që janë pjesë e legjislativit (AAK, LDK, PDK)”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se komisioni komunal në kuadër të aktiviteteve kundërshtuese, ka planifikuar organizimin e një proteste ‘gjithëpopullore’, e cila do të mbahet nesër, në qendër të Deçanit.