Protestës së veteranëve të Dukagjinit do t’i bashkohen edhe veteranët e zonave tjera

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin, ka thirrur protestë për ditën e nesërme, për t’i kundërshtuar siç thonë ata, padrejtësitë që po i bëhet luftës së UÇK-së pas publikimit të listave të veteranëve të rrejshëm.

Lajme

25/09/2018 14:25

Në një pronocim për lajmi.net kryetari i OVL-së për rajonin e Dukagjinit Avdyl Mushkolaj, tha se nuk do të jenë vetëm veteranët e Dukagjinit që do të protestojnë, por edhe ata të zonave tjera të Kosovës.

“E kemi marrë edhe konfirmimin e zonave tjera. Për më shumë se kush do të jetë pjesë në protestë mund ta shihni nesër”, tha ai.

Ndërsa për mënyrën se si do të protestohet para Pallatit të Drejtësisë, Mushkolaj tha se do të jetë protestë paqësore.

“Protesta do të jetë paqësore, qëllimi është vetëm kundërshtimi i listave asgjë më shumë”, shtoi Mushkolaj.

Theksojmë se pas publikimit të listave të veteranëve të rrejshëm nga Prokuroria, lista këto që i siguroi  lajmi.net, kanë reaguar shumë ish-pjesëstarë të UÇK-së duke thënë se ka pasur edhe emra të cilët ishin pjesë e luftës.

Protesta e veteranëve të Dukagjinit mbahet nesër (e mërkure) në ora 13:00, para Pallatit të Drejtësisë në Veternik./Lajmi.net/