Protestë në FIAT pas transferimit të Ronaldos në Juventus

FIAT ka krijuar telashe pas transferimit të Cristiano Ronaldos në Juventus.

Sport

13/07/2018 13:23

Nëse transferimi i Cristiano Ronaldos ka bërë të lumtur shumë tifozë juventinë dhe jo vetëm, që mezi presin ta shohin asin portugez me fanellën bardhezi, nuk është për të gjithë kështu.

Një protestë e vogël ka ndodhur në një nga fabrikat që zotëron familja Agnelli, pikërisht Fiat.

Sipas punëtorëve, paratë që shkuan për blerjen e CR7-ës nga Reali Madridit mund të përdoreshin për të rritur rrogat e tyre ose të paktën për të rritur kushtet në vendin ku punojnë.

Një protestë akoma më e madhe është paralajmëruar nga ora 10 e darkës në datë 15 korrik deri në orën 6 të datës 17 korrik.

Dhe pikërisht një nga arsyet që mendohet se nuk do të organizohet pritja e madhe që ishte parashikuar për Cristianon ditën e hënë është frika nga përshkallëzimi që mund të marrë situata.

Punëtorët pretendojnë gjithashtu se kanë kërkuar edhe më parë përmirësim te pagave dhe kushteve te punes nga punëdhënësit e tyre, por kanë marrë përgjigje negative me arsyetimin se janë kohë të vështira dhe duhet pasur durim. E ndërkohë që ata shtrëngojnë dhëmbët, klubi vendos të investojë nje shume kolosale ne merkato, transmeton “SS”.

Mbetet për tu parë se si familja Agnelli do ta zgjidhë këtë situatë të sikletshme, me sezonin e ri që do të nisë shumë shpejt dhe tifozët që duan të shohin sa më parë 5 herë fituesin e Topit të Artë të veshë fanellën bardhezi.