Protesta në Prizren, deri në dorëheqjen e Mujës

Kastriot Jahaj, nismëtar i protestës për dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës, thotë se protesta e tyre do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit. Sipas tij, protestuesit janë kërcënuar për të ndalë këtë protestë.

Lajme

24/03/2014 21:56

Organizatori i protestës “për Prizrenin”, Kastriot Jahaj, ka bërë të ditur sot se protestën të cilën e kanë nisur tash e sa ditë, para dyerve të Shtëpisë së Bardhë në Prizren, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj komune, Ramadan Mujës, do të vazhdojë deri në dorëheqjen e tij.

Jahaj për lajmi.net ka thënë se kjo protestë nuk do të ndalet, megjithëse dorëheqjen e Mujës e pret këtë javë, respektivisht të enjten.

“E presim edhe seancën e asamblesë Komunale në Prizren, në seancën e jashtëzakonshme e cila do të mbahet këtë të enjte. Ne presim që aty do të vendoset shkarkimi ose aty do të ndodhë dorëheqja e tij. Mirëpo, nëse ndodhë që jo, ne do të dalim prapë në rrugë”.

“Ne do të jemi në rrugë, do të protestojmë deri në dorëheqje”.

Por, sipas Jahajt, qytetarët të cilët kishin dalë për të protestuar në kërkim të dorëheqjes së Mujës, kanë marrë kërcënim me telefonata nga disa, siç thotë ai, banda kriminale të këtij pushteti.

Jahaj ka thënë se gjyqtarë të Gjykatës së Prizrenit, i kanë telefonuar protestuesit që të ndalin këtë protestë, për t’i ikur dënimit nga 700 euro.

“Qytetarët e Prizrenit, gjatë gjithë kësaj jave janë telefonuar nga banda kriminale të këtij pushteti, janë kërcënuar, madje edhe sot në protestë ka pasur protestues që kanë marrë telefonata prej njerëzve të PDK-së, të cilëve u është thënë të ikin prej proteste e gjëra të tilla…”.

“Neve edhe në Gjykatë na kanë paralajmëruar dhe na kanë thënë që nëse dilni prapë në protestë ne ju dënojmë 700 euro, nëse nuk dilni ju dënojmë më pak”.