Protesta kundër Jabllanoviqit në disa vende të Kosovës, raportohet për të arrestuar

Protesta kundër deklaratës së ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, janë duke u mbajtur në disa vende të Kosovës.

Lajme

16/01/2015 14:30

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë protestuar sot para ndërtesës së kësaj ministrie në Fushë Kosovë.

Sipas zyrtarëve për informim të kësaj lëvizje, deri më tani nga një ballafaqim në mes të protestuesve dhe policëve, janë arrestuar aktivistët Etleva Malushaj, Nora Fetoshi Egzon Balaj, Petrit Ademi, Agron Kabashi, Frashër Krasniqi, Boiken Abazi, Gëzon Kastrati. Shumë nga aktivistët e lënduar nga intervenimi i dhunshëm i policisë dhe përdorimi i sprejit lotsjellës.

Protesta kundër Jabllanoviqit janë duke u mbajtur edhe në qytetin e Pejës. Mijëra qytetarë të përkrahur nga organizata joqeveritare, kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Jabllanoviq, pas deklaratës së tij.

Protestuesit mbanin në duar pankarta si “Jabllanoviq jashtë”, “Mos fyej nënat tona”, “Qeveri mos fleni” dhe të tjera. 

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, rreth një jave më parë, i kishte quajtur egërsira familjarët e të pagjeturve, të cilët po protestonin në Gjakovë.