Protesta edhe në Podgoricë

Dhjetëra protestues në Podgoricë kërkojnë ndryshimin e Qeverisë aktuale të Malit të Zi. Ata kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit, Qeverisë dhe të disa Ministrive.

Lajme

15/02/2014 15:22

Në Podgoricë dhjetëra protestues janë mbledhur në qendër të qytetit duke protestuar kundër Qeverisë.

Kjo protestë është organizuar përmes rrjetit social të Facebook, të inspiruar nga ngjarjet në Bosnje e Hercegovinë.

Qytetarë malazias, kryesisht punëtorë dhe pensionistë, janë grumbulluar sot rreth orës 13:00 pranë Kuvendit të Malit të Zi, duke kërkuar largimin e qeverisjes.

Persona të maskuar kanë provokuar kordonin e policisë së vendosur para ndërtesës së Kuvendit, ndërsa më pas i kanë sulmuar me gurë duke i quajtur “qenë” dhe duke kënduar këngën “mbështesni hajnat, mbroni të pasurit, sulmoni popullin për pak para”, raportojnë mediat serbe.

Ata kanë sulmuar me gurë edhe ndërtesën e Qeverisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Financave.

Policia më pas ka intervenuar me gaz lotsjellës.