Protesta e PD bllokon trafikun, Veliaj: Kërkesë miqësore që të zhvendosen

Kreu i bashkisë Erion Veliaj i ka kërkuar organizatorëve të protestës të zhvendosen nga bulevardi për të liruar trafikun. Duke theksuar se Bashkia e Tiranës do të respektojë të drejtën e çdokujt për të protestuar, ai u bëri edhe një kërkesë miqësore për të gjetur një zgjidhje në lehtësimin e trafikut në qytet

Lajme

20/02/2017 14:47

“Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”, theksoi Veliaj.

Kreu i bashksë foli gjatë inspektimit të linjës së autobusëve urbanë të ish Uzinës së Traktorëve, e cila tashmë bashkohet me atë të Institutit Bujqësor. Kësaj flote i shtohen dhe 30 autobusë të rinj.

“Jam shumë i lumtur që sot mbajtëm edhe një premtim tjetër, duke zgjatur linjën e ish Uzinës së Autotraktorëve deri në Institutin bujqësor. Qytetarët, të cilët më parë detyroheshin të blinin dy bileta, pra Shkozë – Qendër dhe Qendër – Institut Bujqësor, sot me një biletë ose me një abone të unifikuar, mund ta kryejnë të plotë udhëtimin, i cili i bie kryq e tërthor Tiranës dhe sjell një lehtësi të jashtëzakonshme, sidomos për ata që shkojnë në punë në mëngjes, për nxënësit e shkollave dhe për të gjithë ata që duhet të kryejnë veprimtarinë e tyre të ditës nga njëri cep i Tiranës, në tjetrin”, tha Veliaj.

Linja nga ish Uzina e Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor dhe anasjelltas, ka 32 stacione autobusësh, ndërkohë që është përmirësuar frekuenca e autobusëve duke i shërbyer më shpejt dhe më me cilësi qytetarëve të Tiranës. /TCH