Protesta e Anarkisë – Lajmi.net
Protesta e Anarkisë
Autori: Abelard Tahiri LajmeOp-EdOpinionPolitikë 13:21, 28 September 2018
Dinamika e zhvillimeve politike rajonale është intensifikuar më shumë sa asnjë herë tjetër më parë gjatë këtyre viteve të fundit.

Tejkalimi i ngecjeve politike, ekonomike dhe diplomatike që i kanë bllokuar shtetet e Ballkanit perëndimor në një rreth vicioz për një kohë të gjatë është bërë një imperativ i kohës.

Nismat institucionale që kanë për qëllim krijimin e kushteve për stabilizimin e brendshëm, mbylljen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore dhe konsolidimin e raporteve ndërfqinjësore, përbëjnë vetëm disa nga kushtet bazike politike për këto vende me qëllim që ta debllokojnë agjendën e tyre integruese në kuadër të strukturave globale euroatlantike.

Në këtë kontekst, Republika e Maqedonisë më 30 shtator e zhvillon referendumin e saj historik, me anë të të cilit qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për ndryshimin e emrit zyrtar të shtetit të tyre. Pas votimit të mëhershëm të ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve si hap i domosdoshëm për konsolidim të brendshëm ndëretnik dhe votimit eventual pro kësaj kauze me anë të referendumit, më në fund ky shtet do të tejkalonte kontestin 27 vjeçar me Greqinë dhe do t’i hapte kështu rrugë përshpejtimit të reformave vendimtare dhe agjendës integruese drejt BE-së dhe NATO-së.

Në këtë ambient dinamik dhe kompleks rajonal dhe ndërkombëtar aktualisht ndodhet edhe Republika e Kosovës. Pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si dhe intensifikimit të reformave institucionale veçanërisht në sferën e sundimit të ligjit, shtetit ynë ndodhet më afër së kurrë liberalizmit të vizave për qytetarët e tij në zonën Schengen. Këtë opinion e mbështesin pothuajse të gjitha skanimet që po bëhen në terren nga përfaqësuesit e BE-së për këtë temë.

Po ashtu arritja e një marrëveshje juridikisht të obligueshme me Republikën e Serbisë, me anë të cilës do të përfundonin armiqësitë historike dhe politike ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve, është bërë e domosdoshme për aktualitetin politik dhe rrethanat historike ku ndodhemi.

Parimisht në funksion të realizmit të këtij objektivi, tashmë është manifestuar edhe një vullnet i hapur diplomatik dhe pa ekuivokë i instancave kryesore ndërkombëtare si të SHBA-së ashtu edhe BE-së. Të gjitha këto qendra e kanë artikular qartë kërkesën e tyre që sa më shpejt të gjenden modalitetet e pranueshme juridike dhe politike për përmbylljen e kësaj çështje.

Synimi i kësaj kërkese ndërkombëtare që të arrihet kjo marrëveshje e obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sikur se edhe rasti i thirrjes për të votuar pro referendumit në Maqedoni, defintivisht ka për qëllim eliminimin e çdo vakumi të mundshëm gjeopolitik, sepse vazhdimi i këtij vakumi do të mund ta shndërronte rajonin në “tokë të askujt” dhe një ambient pjellor për lulëzimin e forcave anti evropiane dhe anti-NATO, e duke e zhytur atë në qarkun e pasigurisë permanente.

Në këtë kontekst edhe Republika e Kosovës sot ndodhet një një udhëkryq politik dhe diplomatik sa i përket të ardhmes së saj shtetërore.

Vendi ynë ndodhet ndërmjet dy dilemave,

-Vazhdimit të status quosë aktuale dhe rrjedhimisht përkeqësimit të gjendjes si pasojë e kësaj bllokade, ose

-Angazhimit shtetëror e institucional në negociata me qëllim konkludimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e domosdoshme për stabilitetin afatgjatë të Republikës së Kosovës, stabilitetit rajonal dhe paqes ndërmjet dy vendeve.

Rrjedhimisht, thirrjet revolucionare në stilin e sloganeve partizane shokë dhe shoqe dhe paralajmërimet për protesta, për ta penguar këtë proces paraqesin sot për sot, veprimin më irracional politik që mund të ndërmerret në këto rrethana.

Në vend të ndërtimit të një strategjie shtetërore institucionale dhe të një konsensusi politik përball këtij procesi, aksione të tilla janë një përpjekje e ulët për shfrytëzuar çdo ndjeshmëri të mundshme sociale dhe politike për të provokuar situatën dhe sigurinë publike në vend.

Projeksione të tilla janë pikërisht atak i drejtpërdrejt edhe ndaj fazës finale për sigurim të liberalizimit të vizave, pasi Albin Kurti me lëvizjen e tij pat dështuar këtë proces ta pengoj më herët me aksione të dhunshme në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu këto veprime ndaj përpjekjeve politike dhe institucionale shtetërore, për ta konkludar marrvëshjen me Serbinë të mbështetur edhe nga aktorët relevantë ndërkombëtarë me qëllim të sigurimit të njohjes së Kosovës nga shteti fqinjë si një hap për sigurimin e ulëses së shtetit në OKB dhe zhbllokimin e agjendës integruese, janë të motivuara nga synimet meskine për ta mbajtur Kosovën në një vrimë të zezë rajonale, si e vetmja mundësi për të përfituar në aspektin elektoral.

I verbëruar nga dogmat e tij ideologjike, pikërisht në kulmin e negociatave të Vjenës, Albin Kurti, bënte thirrje për protesta masive qytetetare ndaj këtij procesi që ishte kusht për pavarësinë. Apo se si me rastin e vizitës së ish presidentit amerikan ne Shqipëri, George Bush, kur ky i fundit deklaronte se Kosova do të jetë e pavarur, po ashtu ai pohonte për këtë premtim publik të bërë nga përfaqësuesesi i superfuqisë globale, se si të tillë nuk duhet ta marrim si të vërtet, sepse ai ishte bërë vetëm me qëllim që të qetësohen kosovarët. Këto raste janë shembuj të duhur për qasjen që ai përfaqëson. Janë thirrje të izolimit të vendit, privim të tij nga koordinimi me shtetet mike që e kanë ndihmuar Kosovën në procesin e shtetëndërtimit dhe promovim të klimës së anarkisë si një mundësi për përfitime politike.

Refuzimi i këtij procesi dhe implikimet që do të prodhonte është dhurata më e mirë që sot për sot mund tu jepet forcave që veprojnë kundër konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë luksin t’i nënshtrohet tekave të një figure të tillë të komprometuar që sa kohë në aspektin politik dhe publik. Dhe për tepër ta mbaj peng agjendën e saj shtetërore, orientimin strategjik dhe të ardhmen euroatlantike.

(Autori është ministër i Drejtësisë në Republikën e Kosovës)

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO