Protesta e 1 tetorit 1997, frymëzim për gjeneratat e reja

Shtatëmbëdhjetë vjet nga protestat studentore të 1 tetorit të vitit 1997, organizatorët e këtyre protestave janë bashkuar edhe një herë në vendin nga nisi marshi protestues për të kujtuar, siç thanë, me krenari ngjarjet në të cilat kërkohej liri dhe pavarësi për Kosovën.

Lajme

01/10/2014 18:52

Të mbledhur para ndërtesës në lagjen Velania, në të cilën në vitin 1997 ndodhej selia e Rektoratit të UP-së, organizatorët e këtyre protestave treguan për vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar gjatë kohës sa ishin studentë dhe mësimdhënës nëpër shtëpi- shkolla, raporton Kallxo.com.

Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik, tha se këto ngjarje duhet të jenë frymëzim për të rinjtë që të kontribuojnë më shumë për vendin.

“Protestat e 1 tetorit tregojnë se në çfarë rruge të vështirë kemi kaluar deri në pavarësi. Gjeneratat e reja duhet të frymëzohen nga këto ngjarje që të kontribuojnë për vendin ashtu siç ne e kemi ëndërruar dhe siç e kanë ëndërruar edhe dëshmorët e kombit”, tha ai.

Lëvizja e atëhershme studentore u cilësua si kthesë që i kishte paraprirë daljes publike në skenë të UCK-së.

Lëvizja e cila ishte nisur me kërkesën që të lirohen objektet e universitetit nga ushtria serbe, kishte kaluar më pas në thirrje politike duke kërkua liri dhe pavarësi për Kosovën.

Fetah Jagxhiu, i cili në atë kohë ishte kryetar i senatit të Universitetit të Prishtinë, thotë  se formimi i UÇK-së kishte filluar pikërisht në këto protesta.

“Këmishat e bardha u zëvendësuan me ato të UÇK-së, e cila kishte filluar pikërisht në këto protesta”, ka deklaruar Jagxhiu.

Ai ka falënderuar edhe banorët e lagjes Velania, të cilët, sipas Jagxhiut, duke i mbrojtur studentët protestues kishin rrezikuar edhe jetët e tyre.

Ndërsa Driton Lajçi tha se kjo lagje ishte bërë edhe strehimore për studentët.

“Pa lagjen Velania dhe të gjitha lagjet e Kosovës nuk mund të bënim atë që është bërë”, tha ai.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.