Propozohet ndalimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për automjete me disa rekomandime, ku njëra ndër to është që importimi i veturave që janë më të vjetra se dhjetë vjet të mos hyjnë në Kosovë prej një janarit të vitit 2018.

Lajme

05/04/2017 13:12

Ky propozim ka marrë unanimisht votat e të gjithë anëtarëve prezent dhe është përcjell për në Kuvend.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa ka thënë se ky vendim po merret për shkak se do të ketë efekte pozitive në mjedis.

“Kjo dispozitë me hy në fuqi prej një janarit të vitit 2018 për arsye se këto mjete janë të balancuara në buxhet për këtë vit  dhe mund të them se nga Dogana, akciza dhe TVSh-ja, nga automjetet e përdorura është e rëndësishme për buxhetin e vendit. Sigurisht ky vendim i yni që ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të ketë efekte pozitive në mjedis gjë që kjo ka qenë motivi ynë mirëpo do të reduktojë edhe të hyrat buxhetore. Do t’i reduktojë për një masë mirëpo ne i kemi dhënë përparësi mjedisit për arsye të situatës alarmante që kemi pasur në disa nga qytetet e Kosovës edhe për shkak të veturave të vjetruara”, ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Fatmir Rexhepi, ka theksuar se e përkrah këtë propozim duke shtuar se nuk beson që dikush nga deputetët është i interesuar të cenoj planifikimin buxhetor brenda vitit,  raporton Ekonomia Online.

“Propozimi në fjalë mendoj që nuk është humbje e madhe nëse ka qenë që disa vite janë importu me modelin e vjetër por unë mendoj se te shpjegimi i buxhetit Komisioni ka mbet borxh që nuk e ka dhënë edhe një pjesë shtesë në aneks që të shihet sa është pjesëmarrja e këtyre veturave mbi dhjetë vjet gjatë kohës së importimit të veturave për me tregu se këto 40 apo 50 milionë sa është pjesëmarrja a është dy, tre apo pesë milionë dhe në bazë të saj vlerësimin ta kemi më korrekt”, ka shtuar ai.

Për këtë projektligj foli edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Nebi Shatri i cili dha disa rekomandime.