Propozim për koalicion të ri qeveritar!

Seremb Gjergji, kandidat i vetëshpallur për president të Republikës, që prej vitit 2011, kohës kur përflitej për mundësinë e përzgjedhjes së kreut të Shtetit nga populli, ka dhënë të hënën versionin e ri se si duhet të duket koalicioni qeverisës që do të dal pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën.

Lajme

09/06/2014 16:24

Gjergji ka thënë se për të krijuar stabilitet politik, atëherë duhet krijuar koalicion qeveritar midis dy partive kryesore politike në ven, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“PDK dhe LDK duhet ta krijojnë koalicionin qeveritar, për të reflektuar stabilitet dhe siguri për të gjithë. Por mbi të gjitha, për të aprovuar të gjitha ndryshimet që në mandatin e shkuar kanë vuajtur nga pafuqia e koalicionit që ka qenë i dobët dhe të vogël”.

Gjergji ka thënë se në gjirin e vet, Qeveria e Re LDK-PDK mund të përfshijë partitë tjera, por me 20 vendet e rezervuara minoritare, LDK-PDK-Minoritetet, pasi kështu sipas tij mund t’i arrijnë 85 deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë krijohen mundësitë edhe 2/3 e votave të grupeve minoritare, sa herë që ka nevojë. 

“Tash duhet ta krijojmë Ushtrinë, duhet të bëjmë ndryshime rrënjësore të Kushtetutës, përfshirë edhe votimin e hapur për President; duhet të krijohet fondit për punësim – që i hapë rrugë zhvillimit ekonomik; të vazhdohet zhvillimi dhe avancimi i fushës së Drejtësisë me të gjitha modelet e reja; dhe mbi të gjitha – kemi nevojë për një IMAZH të qëndrueshëm ndërkombëtar”, ka thënë Gjergji.

Stabiliteti i institucioneve të Kosovës, sipas tij, nënkupton edhe Liberalizim të Vizave, nënshkrim të marrëveshjes më BE-në për Asociim Stabilizim, si dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjergji ka thënë se zgjedhjet ishin të qëndrueshme dhe se tash edhe Qeveria e re duhet të jetë e qëndrueshme, pasi sic ka thënë ai, Kosova ka nevojë të integrohet shpejt në OKB, NATO dhe BE.

“Takimi me Kancelaren Merkel me 28 gusht i z. Thaçi dhe z. Mustafa, do të ishte e dëshirueshme që të dy të shkojnë si ekip, si Qeveri dhe të mos bartim pasojat që mund të jenë të paevitueshme në fushën politike”.

“Po ashtu, koordinimi me SHBA-të dhe të gjitha institucionet e BE-së, përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian, është esencial dhe është i mundur në koalicion të këtyre dy partive. Koalicioni PDK-LDK e forcon edhe raportin me OSBE-në, që tash për tash është i brishtë”, ka thënë kandidati i vetëshpallur për president të Republikës.