Promovohet avancimi i ndërmarrësve

Agjencia për Mbështetjen e NVM’ve mbajti konferencë me qëllim të forcimit të dialogut publiko- privat dhe shpalli kompanitë më të suksesshme.

Lajme

05/11/2013 12:39

Me qëllim të promovimit dhe të avancimit të ndërmarrësve si dhe forcimit të dialogut publiko- privat, në funksion të zhvillimit ekonomik, sot në Prishtinë, në Ditën e Bizneseve të Vogla, u mbajt konferenca informuese për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Kjo konferencë informuese e cila u organizua nga Agjencia për Mbështetjen e NVM’ve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Rajonal – Qendër si dhe në partneritet me institucione të tjera publike e private, si Administratën Tatimore të Kosovës, Doganat e Kosovës  si dhe donatorë të tjerë, kishte për synim informimin e përfaqësuesve të bizneseve të vogla dhe të mesme lidhur me mbështetjen që autoritetet përkatëse mund t’i ofrojnë sektorit privat.

Xhemajl Syla nga Agjencia për Mbështetjen e NVM’ve, shpjegoi të gjitha projektet dhe aktivitetet e Agjencisë për Mbështetjen e Bizneseve të Vogla.

Nga ana tjetër, Hasan Neziri, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Qendër, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është fuqizimi i dialogut publiko-privat si dhe informimi i komunitetit të biznesit se çfarë janë duke bërë institucione e nivelit qendror dhe lokal për mbështetjen e sektorit privat.

Në këtë konferencë informative, përfaqësuesit e bizneseve patën mundësi të njihen edhe me lehtësitë që Doganat e Kosovës u ofrojnë bizneseve, me të rejat nga Administrata Tatimore e Kosovës si dhe mundësitë e përfitimit nga programet e donatorëve të tjerë.

Ngjarja ka përfshirë edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve për ndërmarrjen më konkurruese në Rajonin Qendër me ç’rast çmimin e parë e fitoi kompania “Albi Commerce”, e dyta doli kompania “Glavbolgarstroy AD”, ndërsa e treta “American Hospital Kosova SH.P.K”.