Prokurorja Bedrije Syla–Alshiqi zgjedhet anëtare e KPK-së

Në Prokurorinë e Apelit të Republikës së Kosovës është realizuar procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e kësaj prokurorie, ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate për media.

Lajme

07/11/2017 14:37

Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, me 4 vota për, anëtare e KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit është zgjedhur prokurorja Bedrije Syla – Alshiqi.

“Në bazë të kompetencave ligjore, të drejtën për tu kandiduar për anëtarë të KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit, nga 7 prokurorë sa ka kjo prokurori, e kanë shfrytëzuar prokurorja Bedrije Syla – Alshiqi dhe prokurori Xhevdet Bislimi”, thuhet në komunikatë.

Procesi zgjedhor në Prokurorinë e Apelit është zhvilluar duke u mbështetur në afatet ligjore, ngase anëtarit të KPK-së nga kjo prokurori, prokurorit Idain Smailji, i përfundon mandati në fund të këtij viti.