Prokuroria vërteton sulfurin e tepërt në naftë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vërtetuar se prania e sulfurit në naftën e cila është përdorur për ngrohje në shkollat e Prishtinës ka dalë të jetë 800 me promil, apo 79 herë më shumë se sa është e lejuar në Kosovë.

Lajme

28/02/2014 07:49

Rezultatet e laboratorëve për naftën me përmbajtje të lartë të sulfurit, e cila është përdorur për ngrohje në shkollat e Prishtinës, i ka vërtetuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, shkruan “Zëri”.

Mostrat e marra nga Prokuroria në 43 shkolla të kryeqytetit kanë dalë të njëjta me ato që janë bërë kohë më parë nga laboratorët e autorizuar në Kosovë. Të gjitha raportet e Prokurorisë tregojnë se rezultatet kanë dalë jokonform normës së lejuar. Burime të kësaj gazete në Prokurori, kanë bërë të ditur se njëri nga raportet laboratorike i marrë në këto shkolla tregon se vaji për djegie përmban mbi 800 promil sulfur.

“Të gjitha raportet laboratorike janë jokonform. Ka mostër që rezultati ka dalë edhe mbi 79 herë më e lartë se normat e lejuara”, ka bërë të ditur ky burim për gazetën “Zëri”.