Prokuroria vazhdon betejën ndaj Enver Hasanit

Prokuroria Speciale do e vazhdojë betejën për aktakuzën ndaj ish kreut të kushtetueses Enver Hasani.

Lajme

03/02/2016 20:52

Kreu i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin u refuzua kërkesa e prokurorit për dëgjimin e gjyqtarit ndërkombëtar  të Gjykatës Kushtetuese Robert Carolan

“Ne si prokurori nuk i komentojmë vendimet e gjykatës, por ne do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktvendimi,” tha kryeprokurori special Reshat Millaku për KALLXO.com.

Në anën tjetër për Bajram Tmavën avokatin e  Enver Hasanit vendimi i fundit i gjykatës i ka dhënë fund çdo gjëje.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës jo vetëm që ka refuzuar kërkesën për mundësi të veçantë hetuese, por e ka shfuqizuar edhe aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe shprehimisht e përcakton këtë,” tha Tmava.

Avokati Tmava shtoi se me pezullimin e hetimeve duhet të hedhet poshtë edhe aktakuza, pasi që nuk ka pasur prova tjera.

Në muajin prill 2015  gjatë hetimeve ndaj  Enver Hasanit Prokuroria Speciale i kishte kërkuar gjykatës së Prishtinës një leje të veçantë për të intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nën imunitet.

Vendimi i gjykatës ishte marrë  në dhjetor 2015, ndërsa e njëjta është dorëzuar në prokurori tek më 1 shkurt 2016.  Në ndërkohë, pa e pranuar këtë vendim, më 13 janar 2016 Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën ndaj Enver Hasanit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga gjykata e Prishtinës për arsyet e mosdorëzimit me kohë të vendimit, megjithatë zyrtarët e gjykatës nuk janë përgjigjur.

Përndryshe aktakuza ndaj Hasanit tashmë është dorëzuar në gjykatë dhe pret të ndahet në punë, ndërsa ende nuk është e qartë nëse vendimi i marrë në dhjetor e i dorëzuar në shkurt do cilësohet si hedhje poshtë e kësaj aktakuze.

Hasani akuzohet nga Prokuroria Specilae e Kosovës për dy vepra penale-keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.

Sipas aktakuzës Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij./kallxo.com