Prokuroria ‘toleron’ krimin ekonomik

Prokurori Hivzi Bajraktari nuk ka arritur që të ngrijë xhirollogaritë e personave të dyshuar në rastin e privatizimit të fabrikës "Fan" në Podujevë.

Lajme

06/08/2014 09:49

Alarmin se nuk po luftohet krimi ekonomik, e ka lëshuar Koordinatori i antikrimit ekonomik Shqipdon Fazliu.

Gazeta Kosova Sot ka siguruar raportin që Fazliu ka dërguar për periudhën prill-qershor 2014 në Këshillin Prokurorial.

Në rastin “Fan” janë të dyshuar 11 persona, ku përfshihet edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani, të cilët janë të dyshuar në çështjen e privatizimit të fabrikës Fan në Podujevë.

Ai në këtë raport ka thënë se Prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari nuk ka dhënë urdhra për ngrirjen e xhirollogarive të personave të dyshuar, e kjo gjë mund të ndikojë drejtpërdrejtë në këtë rast.

“Urdhrat për ngrirje të xhirollogarisë fatkeqësisht nuk po zbatohen si duhet. Kështu që në rastin ‘Fan’, prokurori i rastit (nga PTH-ja në Prishtinë derisa rasti ka qenë atje), nuk ka hartuar urdhra për ngrirje as disa ditë pas arrestimit të të dyshuarve, dhe një gjë e tillë mund të ndikojë drejtpërsëdrejti që të dyshuarit, paratë t’i transferojnë në xhirollogari të tjera dhe vështirësojnë gjetjen e tyre”, thuhet në raportin e Fazliut.

Shipdon Fazliu ka thënë në këtë raport, se ka probleme me shitjen e aseteve të sekuestruara dhe sipas tij, nëse asetet e sekuestruara nuk shiten, atëherë shteti mund të përballet edhe me ndonjë padi eventuale.

 “Ka probleme të theksuara në shitjen e veturave dhe aseteve të tjera të sekuestruara përkohësisht. Për shembull, kur sekuestrohen veturat, telefonat dhe asetet e tjera, është mirë që të njëjtat të shiten menjëherë, sepse nëse  pritet përfunimi i aktgjykimit përfundimtar, kjo mund të marrë disa vite, kurse në të njëjtën kohë, vlera e aseteve do të pësojë rënie dhe se AAPSK-së do t’i kushtojë mirëmbajtja e aseteve. Në fund fare, nëse eventualisht Gjykata vendos se aseti do t’i kthehet të pandehurit, shteti mund të jetë subjekt i ndonjë padie eventuale, ngase i pandehuri mund të pësojë humbje nga sekuestrimi apo mospasja në dispozicion e asetit”, citohet të ketë thënë në këtë raport, koordinatori Fazliu, shkruan sot Kosova Sot.