Prokuroria sqarohet rreth publikimit të listave të “veteranëve mashtrues”

Pas publikimit ekskluziv që bëri lajmi.net, të listave me emra të veteranëve që Prokuroria e Kosovës tha se kanë përfituar kundërligjshëm pensione, ka reaguar kjo e fundit.

Lajme

17/09/2018 14:34

Prokurori i Shtetit ka dalë me sqarim lidhur me listën e publikuar të ‘veteranëve të rrejshëm’, sipas aktakuzës për këtë çështje, për të cilën pati pakënaqësi nga persona që thonë se ishin pjesë e UÇK-së dhe janë përshirë padrejtësisht në listë.

Individë dhe organizata të veteranëve të luftës së UÇK-së kanë dalë me reagime për publikimin e një listë të ‘veteranëve mashtrues’ nga aktakuza për rastin e listave të veteranëve.

Lexo edhe:

Ekskluzive / Veteranët që përfituan kundërligjshëm pensione në Zonën e Llapit, sipas prokurorisë (EMRAT)

Disa prej tyre kanë potencuar se janë përfshirë në listë megjithëse aktviteti i tyre në UÇK është gjerësisht i njohur.

Megjithatë sipas Prokurorit të Shtetit në listën e publikuar përfshihen edhe përfituesit e kundërligjshëm, që përfshin ata që marrin paga të tjera në sektorin publik dhe privat.

Lexo edhe:

Ekskluzive / Veteranët që përfituan kundërligjshëm pensione në Zonën e Dukagjinit, sipas prokurorisë (EMRAT)

“Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione, dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do ti propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Lexo edhe:

Ekskluzive / Veteranët që përfituan kundërligjshëm pensione në Zonën e Nerodimës, sipas prokurorisë (EMRAT)

Siapas prokurorisë në nenin 16 paragrafi 4 të Ligjit për veteranët e luftës është e paraparë që veteranët e UÇK-së, të cilët janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit pasuror, gjithashtu edhe personat të cilët janë në kategorinë si pjesëtar i UÇK-së, ose në kategorinë pjesëmarrës i luftës, me Ligj nuk i takon e drejta për pension personal të veteranit luftëtar, dhe kjo ka qenë arsye pse disa nga ta janë përfshirë në aktakuzë si përfitues të kundërligjshëm.

“Rritja e numrit prej 19060 përfituesve në 20238 përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokurori, është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por, për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteran luftëtar të UÇK-së, siç është përcaktuar me Ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se  kjo aktakuzë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, nuk ka të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, me vlerat e saj por është aktakuzë e paraqitur kundër zyrtarëve që kanë vepruar në kuadër të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së. E tërë procedura penale tregon qartë, se edhe përkundër obstruksioneve Prokuroria e Shtetit, është e aftë që në mënyrë të drejtë dhe të pavarur ti kryej obligimet e veta, e ajo është ndjekja e kryerësve të veprave penale.

Kujtojmë, se lajmi.net në vazhdimësi është duke publikuar pjesë të aktakuzës voluminoze të Prokutorisë Speciale që ka bërë ndaj 12 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza është ngritur ndaj: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. /Lajmi.net/