Prokuroria Speciale: Jankullovska tentoi të ndikojë tek dëshmitarët

Gjykata e Shkupit nuk ka pranuar ankesën e Prokurorisë Speciale që t’i caktohet paraburgim ish-ministres Gordana Jankulloska, edhe pse Prokuroria e Janevës ka prezantuar dëshmi se Jankulloska disa herë ka tentuar të ndikojë ndaj dëshmitarëve lidhur me rastin për të cilin dyshohet. 

Lajme

21/02/2016 10:57

Në vendimin e publikuar, nga gjykata thuhet se Prokurorja publike speciale, Fatime Fetai, gjykatësit në procedurën paraprake, i ka dorëzuar prova që dëshmojnë rrezikun për pengimin e procedurës penale nga ana e Jankullovskës, megjithatë këtë dëshmi, gjykatësi aspak nuk është përpjekur ta analizojë.

Nga ana e të dyshuarës është bërë përpjekje të bëhet ndikim ndaj njërit nga bashkëpjesëmarrësit në lëndë dhe atë jo një herë por disa herë. Konkretisht, përmes të një të dyshuari tjetër, në këtë procedurë dhe përmes një personi tjetër, njërit nga të dyshuarit i është dërguar kërkesë e drejtpërdrejtë që një e dyshuar tjetër në procedurë të përmbahet në çfarëdo qoftë dëshmie inkriminuese kundër të dyshuarës G. J. deri më 24 prill, si datë në të cilën do të mbaheshin zgjedhje dhe në të cilën do të fitonte partia në pushtet VMRO-DPMNE, ku pas asaj date ato persona të cilat nuk do të jenë në anën e të dyshuarës G.J. do të trajtohen si tradhtarë, në të kundërtën si heronj.

Sipas ankesës së publikuar nga Gjykata  Themelore Shkupi 1, prokurorja  publike speciale, Fatime Fetai, në arsyetimin e saj shkruan se ish-ministrja Gordana Jankullovska, ka  ushtruar edhe presion tjetër tek bashkëpjesëmarrësit tjerë.

“Nga ana e të dyshuarës G.J. është bërë presion dhe maltretim psikik i bashkëpjesëmarrësve, me kërkesë të drejtpërdrejtë që e vërteta për lëndën e përshkruar në urdhëresën për zbatimin e procedurës hetuese të mos tregohen”, thuhet në ankesë.

Ndërsa prokurorja publike speciale Lile Stefanovska, në arsyetimet e saj se pse Gordana Jankullovska duhet të jenë në paraburgim ka shkruar se Jankullovska derisa ka qenë ministre ka bërë përpjekje për shkatërrimin e gjurmëve të veprave penale për të cilat ngarkohet, duke nënshkruar vendim për shkatërrimin e lëndëve, me komision regjistrues në drejtoritë udhëheqëse të Shkupit. Gjykata themelore Shkupi 1 nuk ka caktuar masë paraburgimi për asnjërin prej nëntë të dyshuarve në aksionin “TITANIK”.