Prokuroria: Nuk u arrestua avokati Gazmend Halilaj, është intervistuar

Sot avokati Gazmend Halilaj, tha se është arrestuar nga si shenjë hakmarrje për raportimin se hetuesit e IPK-së i kanë dhënë një gazetareje dëshmi mbi privatësinë e 16 vjeçares nga Drenasi .

Lajme

20/02/2019 15:18

Mirëpo, për këtë rast prokuroria ka reaguar ndaj medieve e jo ndaj personit që tha se ishte arrestuar. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se avokati, Gazmend Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim dhe nuk është arrestuar, shkruan lajmi.net.

Mirëpo një status i Halilajt në llogarinë e tij në Facebook thoshte:

“Dje e raportova skandalin e radhes nga hetueist e ipk. Qe i dhane deshmi l gazetares se ktv-se, lidhur me privatsin e viktimes te rastit ne Drenas. Shenje hakmarrje te njejtit sot me arrestuan”, ka shkruar më parë Halilaj.

Tani statusi i avokatit Halilaj është larguar nga Facebooku i tij nuk dihen arsyet.  Lajmi.net ka provuar në vazhdimësi të kontaktoj me avokatin, por kontakti me të deri tani ka qenë i pamundur.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Njoftim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, lidhur me lajmin e publikuar sot në media të ndryshme se është arrestuar avokati që mbrojti mësuesin nga Drenasi pas arrestimit nga Policia.

Për hir të informimit të drejtë e të saktë, ju njoftojmë se avokati, Gazmend Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe nuk është arrestuar, siç kanë shkruar sot disa media.

Intervistimi i avokatit Halilaj, është në vazhdën e veprimeve hetimore, për shkak të rastit që jeni tashmë të gjithë në dijeni.

Po ashtu, Prokuroria e Prishtinës, ju njofton se për këtë çështje vendosim ne duke u bazuar në prova dhe fakte konform dispozitave ligjore, si dhe, në asnjë mënyrë nuk biem në ndikim të askujt, për asnjë rast e as për rastin në fjalë.

Andaj, kërkojmë nga të gjitha mediat mirëkuptim, që të mos publikojnë shkrime të pakonfirmuara nga Sistemi prokurorial e posaçërisht kur ka të bëjë me punën e prokurorëve,  me të  cilat e pengojnë dhe mund të dëmtojnë  rrjedhën normale të hetimeve. /Lajmi.net/