Prokuroria larg identifikimit të vrasësit të Pistës

Ende nuk ka dyshime të mjaftueshme për të gjetur personin që vrau Elvis Pistën. Deri më tani, Prokuroria e Shtetit, nuk ka intervistuar asnjë të dyshuar. 

Lajme

22/07/2014 14:36

Prokuroria e Shtetit ende nuk ka arritur që të bie në gjurmë të vrasësit të kandidatit për deputet të PDK-së, rahovecianit, Elvis Pista.

Prokurorja e rastit, Shpresa Bakija ka thënë për Express se deri më tani nuk kanë intervistuar asnjë të dyshuar për këtë vrasje.

“Ende nuk kemi të dyshuar. Jemi duke punuar dhe hetuar në çdo pistë të mundshme, por nuk e kemi intervistuar askënd deri tash në cilësinë e të dyshuarit”, thotë për Express Bakija.

Ajo bën me dije se numri i personave që janë intervistuar si dëshmitarë në ketë hetim është mbi 40. Nga ta ka edhe persona nga PTK-ja, kompania publike ku punoi Pista.

Por, ky hetim deri tash nuk ka arritur as në përfundimin se cili është motivi i vrasjes së Pistës.

“Ende nuk dihet motivi i këtij krimi. Po ta zbulonim motivin, edhe kapja e të dyshuarit do të ishte më e lehtë”, thotë për Express Bakija.

Elvis Pista ishte vrarë pas një feste me familjen, dhe vrasësi e kishte qëlluar nga afër me armë me zhurmë-mbytës.

Vrasja e tij e kishte tronditur opinionin, kryesisht për shkak se Pista ishte në garë për deputet dhe vrasja e tij ndodhi shumë pak kohë pas zgjedhjeve. (Gazeta Express)