Prokuroria: Kryetari Ahmeti po e pengon hetimin e 70 dosjeve të Isa Mustafës

Prokuroria po heton 70 dosjet që Vetëvendosje i dërgoi te ta kundër administratës së LDK-së dhe Isa Mustafës. Por, në Prokurorinë Speciale thonë se Shpend Ahmeti është duke penguar hetimet. 

Lajme

30/12/2014 17:01

Kryetari i Prishtinës nga partia ‘Vetëvendosje” ka disa herë që në paraqitjet e tij publike akuzon Prokurorinë Speciale që po e zvarrit hetimin e lëndëve që janë denoncuar nga administrata e Vetëvendosjes për ish-administratën e Komunës së Prishtinës të LDK-së dhe Isa Mustafës. 

Por, Prokuroria Speciale që po i heton këto lëndë, të njohura si “70 lëndët” e që në fakt janë vetëm dy raste, thotë që Shpend Ahmeti dhe administrata e tij po ndërhyjnë në këto hetime. 

“Në dinamikën e këtij hetimi kanë ndikuar disa rrethana, në mesin e të cilave është ajo se Drejtoria e urbanizmit, ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit, në Komunën e Prishtinës, gjatë hetimit të këtij rasti ka lëshuar pesë leje ndërtimore, për objektet që vetë i ka denoncuar si të paligjshme”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë Speciale për Express. 

Prokuroria thotë që pos ndërhyrjeve me anë të dhënies së lejeve, në hetime po ndërhyn edhe Shpend Ahmeti me deklarata. 

“Njëherësh PSRK konsideron se deklaratat e kryetarit të Komunës së Prishtinës, ku ai vlerëson punën e PSRK-së për rastin në fjalë, janë të pabazuara dhe për më tepër meqenëse këto deklarata vijnë nga zyrtari, i cili është jashtë sistemit prokurorial, deklaratat e tilla i konsiderojmë si ndërhyrje direket në punën e PSRK-së, e cila në punën e vet është e pavarur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale. 

Janë dy lëndë në të cilat Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke punuar, e që kanë të bëjnë me Komunën e Prishtinës, njëra ka të bëjë me fushën e ndërtimit të objekteve të paligjshme në këtë komunë dhe tjetra ka të bëjë me lëshimin e lejeve ndërtimore të dyshimta, nga kjo komunë. 

Rasti i parë është në fazën përfundimtare të hetimeve, ndërsa rasti i dytë është në fazën e grumbullimit të provave dhe informatave të nevojshme, thonë në Prokurori. 

Në kuadër të këtyre dy lëndëve janë të përfshira afërsisht 70 dosje të pranuara nga Inspektorati për Ndërtim në Komunën e Prishtinës dhe Drejtoria e Urbanizmit, ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit, në Komunën e Prishtinës. 

“Lidhur me deklaratat publike të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ankohet në punën e Prokurorisë, duke i quajtur hetimet e vonuara në lidhje me rastin ku po hetohen zyrtarë të kësaj komune, PSRK njofton se lënda që ka të bëjë me ndërtime të paligjshme është në fazën përfundimtare të hetimeve”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë. 

Prokuroria jep edhe dy arsye se si Komuna e Prishtinë po ndikon që të zvarriten këto hetime. 

“Në dinamikën e këtij hetimi kanë ndikuar disa rrethana, në mesin e të cilave është ajo se Drejtoria e urbanizmit, ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit, në Komunën e Prishtinës, gjatë hetimit të këtij rasti ka lëshuar pesë leje ndërtimore, për objektet që vet i ka denoncuar si të paligjshme. Arsye tjetër që ka ndikuar në dinamikën e hetimit të këtij rasti është mos përmbushja me kohë e kërkesës së PSRK-së, për sigurimin e disa provave nga Sektori i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, respektivisht matjes së dy objekteve që janë të përfshira në hetim”, thotë Prokuroria. 

Për rastin e ndërtimeve të paligjshme në Komunën e Prishtinës PSRK-ja ka filluar hetimin zyrtar, në fillim të muajit prill 2014. 

Meqenëse me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, “afati ligjor për kryerjen e hetimit është dy vite, kryerja e hetimit në një rast kaq voluminoz dhe kompleks në më pak se një vit mund të konsiderohet si sukses i punës së PSRK-së”. (GazetaExpress)