Prokuroria konfirmon: Kërkojmë arrestimin e Tahirit, ekziston rreziku i prishjes së provave

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar sot se kërkon heqjen e mandatit dhe arrestimin e deputetit socialist Saimir Tahiri sepse ekziston rreziku i prishjes së provave.

Lajme

20/10/2017 13:06

Duke qënë se ai ka qënë ministër i Brendshëm dhe “duke qënë se janë nën hetim edhe persona të tjerë, – siç u shprehj prokurorja Elisabeta Imeraj, – që mund të vazhdojnë të jenë në detyrë apo janë aktualisht në detyrë, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, që t’i bëjë të pavlefshme të përdoren më pas.”

Prokurorja Elisabeta Imeraj është pjesë e grupit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit të Kuvendit, autorizimin për arrestimin, heqjen e mandatit dhe kontrollin e banesave të Tahirit.

Pyetjet nga deputeti i PD, Eduard Halimi:

Halimi: Z. prokuror, ka ndodnjë shqetësim që ne duhet të vendosim shpejt për çështjen, ndonjë rrezik se mos prishen provat? Apo ne mund të vendosim pas dy ditësh apo pas një jave?

Prokurorja Imeraj: Ne e sqaruam pozicionin tonë duke ju bërë të njohur bazën tonë ddhe argumentat. Nuk duhet dhe nuk mund të pyetet prokuroria “A keni ngutje?”. Prokuroria e ka detyrë funksionale të veprojë kur ka një çështje në hetim.

Halimi: Ju lutem, e thjeshtë pyetja: e doni nesër apo pas një jave? Apo pas dy javësh, përgjigjen? Është pyetje e thjeshtë.

Ndërhyn Ruçi: Z. Halimi, është detyrë e Prokurorisë të vendosë.

Halimi: Ka rrezik të dëmtohen prova gjatë këtyre orëve, ditëve?

Imeraj: Në funksion të administrimit të provave, siç dihet flitet për ish-ministrin e Brendshëm, duke qënë se janë nën hetim edhe persona të tjerë që mund të vazhdojnë të jenë në detyrë apo janë aktualisht në detyrë, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, që t’i bëjë të pavlefshme të përdoren më pas./Syri.net