Prokuroria kërkon paraburgimin e zyrtarëve që tentuan të ndihmojnë arratisjen e malazezit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesën për paraburgimin e dy të dyshuarve, të cilët kanë tentuar të ndihmojnë në arratisjen e malazezit Mario Milosheviq nga burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz.

Lajme

08/11/2018 22:52

Zëvëndëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë se, prokuroria ka marr vendim për fillimin e hetimeve ndaj oficerit Stefan Veliçkoviq dhe zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafa për dhënie dhe marrje të ryshfetit.

“Sot unë kam marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Stefan Veliçkoviq dhe Petrit Mustafës në drejtim të veprës penale të dhënies së ryshfetit dhe marrjes së ryshfetit për të arratisur një person nga burgu i Sigurisë së Lart në Dyz”, është shprehur zëvëndëskryeprokurori Berisha.

Sipas tij zyrtari i qeverisë Petrit Mustafa është i dyshuar për dhënie të ryshfetit ndaj gardianit Stefan Veliçkoviq për ta arratisur të paraburgosurin malazez Mario Milosheviq.

Berisha i ka thënë “Zëri” se veç se e ka dorëzuar kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

“Unë kam bërë kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj tyre dhe nesër (e premte) gjykata vendos rreth kësaj kërkese”, ka thënë ai

Ndryshe, dy malazezët, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje  Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq si dhe kosovarja Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik të këtij viti nga Policia e Kosovës.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.